1 vit s’mund të përfundohet një kanalizim

1 vit s'mund të përfundohet një kanalizim

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Kanalizimi në Debresh të Gostivarit ka filluar të ndërtohet para rreth se një viti, por fundi nuk shihet askund. Për pasojë, përveç mos përfundimit të një pjese të kanalizimit, është shkatërruar edhe rruga. Banorët ankohen se edhe përkundër kërkesës së vazhdueshme për përfundimin e kanalizimit dhe asfaltimin e rrugës, situata në terren vazhdon të mbetet e pandryshueshme.

“Ka afër një vit që ka mbet kështu dhe nuk bëjnë asgjë. Tonë do e bëjmë do e bëjmë dhe ja, mbeti askund. Na dëmton tepër se pluhur ka shumë, makinat i prishëm, fëmijët luajnë këtu në baltë. Komuna vetëm thotë do e bëjmë dhe asgjë, e lanë në gjysmë kanalizimin”, tha një banor.

“Pa asfaltuar është që në pranverë. Idenë se kam çka bëjnë. Deri diku e bënë dhe e lanë, a do e bëjnë në pranverë nuk e di. Makinat na dëmtojnë shumë, ja njëra gomë më është prerë nga gropat”, u shpreh një banor tjetër.

Kërkuam sqarim nga ndërmarrja publike komunale por nuk morëm përgjigje. Muaj më parë na u tha se pritet ardhja e mërgimtarëve që të lidhën në sistemin e kanalizimit që më pas të bëhet asfaltimi. Nga ana tjetër, kreu i komunës së Gostivarit Arben Taravari thotë se vonesat janë shkaku i krizës ekonomike, ndërsa premton se vitin e ardhshëm do të përfundojë projekti.

“Nuk mundëm sivjet ta realizojmë, besoj se vitin e ardhshëm do e bëjmë. E keni parasysh, kriza ekonomike e bëri të veten dhe nuk mundëm prej premtimeve të 2021 ti përmbushim të gjitha në 2022, por do të them diçka. Në Debresh sa është investuar këto pesë vite, nuk është investu në 20 vite të kaluara”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit.

Pikërisht shkaku i mos përfundimit të këtij kanalizimi, në rrezik të madh janë fëmijët që lozin në këtë lagje, nga gropat dhe kanalet që kanë mbetur të hapura, ndërsa askush nuk merr masa për t`i mbyllur./Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button