12 mijë civilë të bllokuar në Severodonetsk

12 mijë civilë të bllokuar në Severodonetsk

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, theksoi se situata në rajonin lindor, Donbas, është “jashtëzakonisht e rëndë”, pasi Rusia ka angazhuar forcën më të madhe ushtarake atje. Raportohet ndërkohë se 12 mijë civilë kanë mbetur të bllokuar në këtë qytet, pa ushqim, ujë apo ilaçe.

“Situata në Donbas është shumë e rëndë. Ushtria ruse është duke tentuar të mbledhë forcat në zona të caktuara për të rritur presionin ndaj mbrojtësve tanë. Në Donbas është mbledhur e gjithë forca e ushtrisë ruse”, tha Volodomyr Zelensky, President i Ukrainës.

Ushtria ukrainase tha se kërcënimi ushtarak nga Bjellorusia fqinje “vazhdon”. Lidhur me zonat më të ashpra të luftimeve, Shtupun tha se forcat ruse po vazhdojnë ende me sulme në Sievierodonetsk, Sloviansk dhe Lyman në Ukrainën lindore.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj kanë zbuluar 152 trupa të luftëtarëve ukrainas në tunelet nëntokësore të fabrikës së çelikut Azovstal. Zëdhënësi i mbrojtjes ruse Konashenkov tha se trupat ishin ruajtur në një furgon me një sistem ftohjeje që nuk funksiononte, ndërsa poshtë furgonit ishin vendosur katër mina.

Një gjykatë ukrainase dënoi me nga 11 vjet e gjysmë burg dy ushtarë rusë të kapur rob për bombardimin e një qyteti në Ukrainën lindore. Ky është vendimi i dytë që jepet me akuzën për krime lufte që nga fillimi i pushtimit rus në 24 shkurt.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm të heqë bllokadën e porteve të Detit të Zi të Ukrainës, duke lejuar kalimin e sigurt të anijeve që transportojnë produkte të tilla si grurë dhe misër por Ukraina duhej që së pari të çminojë ujërat e saj, duke i bërë të sigurta për kalimin e anijeve.

“Nëse zgjidhet problemi i çminimit, atëherë në det të hapur siç thashë, forcat detare të Federatës Ruse do të sigurojnë kalimin e sigurt të këtyre anijeve në Mesdhe dhe më larg në destinacionet e tyre”, deklaroi Sergej Llavrov, Ministër i jashtëm i Rusisë.

Deklarata e Lavrovit vjen më pak se një javë pasi ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba e cilësoi si shantazh ofertën nga Rusia për të hequr bllokadën, në këmbim të heqjes së sanksioneve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button