Debat i ashpër në Kuvendin e Serbisë mes deputetit Kamberi dhe deputetëve të mazhorancës

Me akuza të drejtpërdrejta në adresë të presidentit serb Vuçiç e kryeparlamentarit Daçiç, deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi nxiti reagimin e krerëve të shtetit serb por edhe deputetëve në Kuvend. Në seancën për Qeverinë e re, Kamberi tha se ky koalicion prodhon pushtetin më totalitar të historisë së Serbisë.

 “Nga një Serbi që nuk e zbardhë vullnetshëm vrasjen e Sllavko Çuruvijes, si të pritet të zbardhë vrasjen e vëllezërve Bytyqi? Nga një Serbi ku lartësohet Ratko Mlladiqi, si të pritet njohja zyrtare e gjenocidit të Srebrenicës? Nga një Serbi ku shteti mbron Ljubisha Dikoviqin dhe Bozhidar Deliqin, si të pritet njohja e krimeve të luftës ndaj civilëve në Reçak, Mejë, Korenicë, Qyshk etj?- deklaroi Shaip Kamberi, Deputet i PVD-së.

 Kamberi madje i kërkoi Bërnabiqit, që është mandatarë për formimin e Qeverisë që të vizitojë vendet ku ndodhen varrezat masive.

“Shihni me sytë e juaj Batajanicën, Peruçën, Petrovo Selon, Rudnicën. Staro Sajmishta dhe Jasenoci mund t’ju frymëzojnë. Dëgjoni me veshët e juaj mbiemrat Berisha, Duriqi, Bogujevci, Jashari etj. Përfytyroni fëmijët, gratë dhe pleqtë që mjaftoi të kishin emra, gjuhë e kulturë të ndryshme, për t’u vrarë mizorisht dhe për t’iu hedhur fshehurazi kufomat e tyre nëpër varreza masive 400 km larg nga krimi, nga ana e strukturave të shtetit që kishin për detyrë t’ua siguronte sigurinë dhe mirëqenien. Këto krime kundër njerëzimit janë urdhëruar, organizuar dhe kryer nga strukturat shtetërore dhe se nuk do të ketë paqe dhe ardhmëri pa ballafaqim me të kaluarën- pohoi SINKRON – Shaip Kamberi, Daputet i PVD-së.

 Ndaj këtij fjalimi reaguan deputetët dhe kryeparlamentari serb Ivica Daçiç.

“Keni kujdes me fjalorin dhe fyerjet. Do ju kisha lutur të keni kujdes me fjalorin që fyen Kuvendin dhe Serbinë. Nuk dua aspak të hyjë në debat për atë se a është e vërtetë diçka apo jo. Përdorni fjalorin që i takon deputetit, mos më detyroni të marr masa, mos më provokoni”- tha Ivica Daçiç, Kryetar i Kuvendit të Serbisë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç iu përgjigj Kamberit në konferencën që mbajti për koronavirusin dhe masat.

“Dikush që dëboi 42% të serbëve nga pushteti në Bujanoc flet për rrezikimin e komuniteteve pakicë. Ata po kërkojnë një pozicion ministror me 0,5 përqind të popullsisë në Serbinë qendrore dhe Vojvodinë dhe ata që kanë 42 përqind nuk lejohen të marrin pjesë në qeveri. Kaq për totalitarizmin dhe mosrespektimin e të drejtave të pakicave”- pohoi Aleksandar Vuçiç, President i Serbisë.

Vuçiç tha se edhepse shqiptarëve u ishte ofruar një post i zv.ministrit, duke dëgjuar fjalimin e Kamberit dhe qëndrimet e tij për shtetin e Serbisë, është mirë që nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Alsat

LEXO EDHE:

Back to top button