A do të ndalohet “Tik-Toku” në Maqedoni?

A do të ndalohet “Tik-Toku” në Maqedoni?

Gazetar: Ardit Ramadani

Asgjë s’e ndalon shtetin të vendos për mbylljen e tërësishme të platformës sociale “Tik-Tok” në të cilën sipas ekspertëve ka përmbajtje që nxisin dhunë dhe lojëra të rrezikshme deri në fatalitet. Nëse kompetentët i marrin seriozisht iniciativa, ekziston më shumë se 1 mënyrë se si mund të bëhet kjo. E para përmes furnizuesve të shtetit me internet ndërsa e dyta përmes Agjencisë për Radiodifuzion.

“Kjo mund të ndodhë në dy mënyra, e para është ndalimi nëpërmjet furnizuesve, për shembull tek ne janë Telekom, A1 dhe disa tjerë, nëpërmjet atyre qeveria mund të bëje një marrëveshje apo bashkëpunim që të ndalet qasje në çfarëdo rrjeti-social.  Mënyra e dytë është kur vetë shteti mund të bëje ndalesë në nivel shtetërorë platforma të caktuara, në këtë rast Tik-Tokun, kjo nuk kërkon bashkëpunim me furnizues të ndryshëm por mundet që vetë shteti të krijojë një bllokim të një adrese të caktuar”, deklaroi Lokman Musliu, ekspert i fushës.

Musliu megjithatë shtoi se shteti duhet të jetë i kujdesshëm në veprime pasi ekzistojnë edhe mënyra se si mund të kesh qasje në këtë platformë edhe pas ndalesës së plotë. E para sipas tij, bëhet përmes ndryshimit të adresës virtuale të internetit si dhe përmes proxi serverëve.

Drejtues të disa Institucioneve ditëve të fundit janë pajtuar se vendi ka nevojë për kontroll të shtuar në institucionet arsimore, trajnim të shërbimeve që kujdesen për shëndetin mendor të fëmijëve dhe rregullim të disa platformave sociale që nxisin dhunë. Megjithatë, ministri i brendshëm Oliver Spasovski sot tha se edhe familja luan rol kyç në këtë drejtim.

“Megjithatë edhe si prindër të gjithë ne kemi përgjegjësi serioze në këtë pjesë. Të mendojmë seriozisht se ku është kufiri që ne do të ju lejojmë fëmijëve të kenë telefona të mençur dhe qasje në internet. Sepse gjithsesi shohim se kjo qasje e të gjithë neve si qytetarë sjellë që thjeshtë fëmijëve të u japim të ashtuquajturën armë në dorë me qasje në ato rrjete sociale, në internet”, deklaroi Oliver Spasovski, ministër për Punë të Brendshme.

“Varësisë” nga ky rrjet-social dukshëm nuk i kanë shpëtuar as zyrtarët e vendit përkundër deklarimeve publike për dëmet e kësaj platforme. Për shembull, zëvendës kryeministri Artan Grubi dhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani kanë llogari shumë aktive në këtë rrjet-social. Edhe pse më pak aktiv, pjesë e “Tik-Tok” janë edhe Kreshnik Bekteshi dhe Jeton Shaqiri.

Ndryshe, ministri i arsimit Jeton Shaqiri njoftoi se takimet me ekspertë të fushës për të diskutuar në lidhje me ndalimin potencial të kësaj platforme sociale do të vijojnë ditëve në vijim. Nga ana tjetër një sërë ndryshimesh ligjore në këtë drejtim paralajmëroi edhe deputetja Monika Zajkova. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button