A do t’i ndryshojë Arsovska anëtarët e komisionit për tenderin e stacionit të filtrimit?

A do t’i ndryshojë Arsovska anëtarët e komisionit për tenderin e stacionit të filtrimit?

Gazetar: Mefail Ismaili

Edhe pse u përplas me VMRO-DPMNE-në për të ndryshuar anëtarët e komisionit evaluues në Tenderin për Stacionin pastrues në Lumin Vardar dhe e shkarkoi drejtorin e Ujësjellësit, Zllatko Perinski, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska dy javë më pas i shmanget përgjigjes nëse do i ndryshojë anëtarët e komisionit evaluues, shkruan Alsat.

“Ne kemi njoftuar cili është mendimi jonë që para më shumë se një muaji, për të njëjtën pason veprim edhe nga ana e Ujësjellësit dhe Kanalizimit”, tha Danella  Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.

E pyetëm drejtorin aktual, Marjançe Mitovski nëse ka pranuar kërkesë nga kryetarja Arsovska që të ndryshojë dy anëtarët e Qytetit në Komisionin evaluues. Ai shkurt u përgjigj:

“Në Ndërmarrjen Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” në Shkup, nuk ka asnjë lloj zgjidhje të miratuar nga u.d. drejtor, për ndryshimin e anëtarëve të Komisionit”, u shpreh Marijançe Mitovski, u.d. Drejtor i N.P. Ujësjellësi dhe kanalizimi.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska në fillim të muajit, e shkarkoi drejtorin e Ujësjellësit, Zllatko Perinski kuadër i VMRO-DPMNE-së, i cili nuk kishte lejuar që dy anëtarët e këtij komisioni të zëvendësohen me anëtarë të tjerë, duke deklaruar se ky veprim do të zvarrisë ose rrezikojë tenderin prej 136 milion euro nga Banka Evropiane Investuese, për ndërtimin e Stacionit pastrues të ujërave të zeza në Vardar.

Perinski madje kishte prezantuar edhe rekomandimet e Bankës që të mos bëhen ndryshime, pasi komisioni ka punuar sipas të gjitha standardeve. Por Arsovska akuzonte drejtorin Perinski se përmes dy anëtarëve që përfaqësojnë qytetin e Shkupit në komision, dëshiron të bëjë keqpërdorime.

Për shkak të mosmarrëveshjeve që lindën mes Arsovskës dhe VMRO-DPMNE-së, të gjithë drejtorët nga kjo parti dhanë dorëheqje dhe më shumë se dy javë numri më i madh i drejtorive të Qytetit të Shkupit mbetën pa udhëheqës. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button