A është ky fundi i navigimit satelitor në automjete?
Startup amerikan Tern AI ka zhvilluar teknologji revolucionare navigimi që funksionon pa një sinjal GPS ose lidhje interneti. Kjo zgjidhje përdor inteligjencën artificiale dhe sensorë për të përcaktuar me saktësi pozicionin.

Ndryshe nga sistemet tradicionale “GPS”, kjo teknologji është e pavarur nga sinjalet satelitore dhe lidhja me internetin.
Në zemër të inovacionit qëndron i ashtuquajturi “Inteligjent Dead-reckoning Positioning System” (IDPS) nga kompania “Tern AI”. Ky sistem përdor një kombinim të sensorëve dhe algoritmeve të avancuara “AI” për të përcaktuar pozicionin e automjetit ose pajisjes.
Ndryshe nga “GPS”, “IDPS” funksionon plotësisht në mënyrë të pavarur nga burimet e sinjalit të jashtëm.
Zemra e sistemit përbëhet nga një njësi matëse inerciale (IMU), një odometër dhe një magnetometër. Risia e vërtetë qëndron në algoritmet “AI” që përpunojnë të dhënat e sensorëve dhe llogaritin pozicionin e saktë.
Saktësia e sistemit thuhet se është mbresëlënëse, me një gabim prej më pak se një metër. Kjo saktësi është e krahasueshme me sistemet GPS me precizion të lartë dhe tejkalon ndjeshëm saktësinë e marrësve të zakonshëm GPS.
Avantazhi kryesor i IDPS është aftësia e tij për të operuar në mënyrë të besueshme edhe në situata kur sinjalet GPS janë të dobëta ose plotësisht të padisponueshme. Në tunele, garazhe nëntokësore apo mes ndërtesave të larta, “IDPS” vazhdon të japë të dhëna të sakta të pozicionit.
Për më tepër, sistemi është me kosto efektive, pasi përdor sensorë që janë ndërtuar tashmë në shumë automjete moderne.
Kjo teknologji hap një gamë të gjerë aplikimesh, veçanërisht në fushat e drejtimit autonom, menaxhimit të flotës, robotikës dhe realitetit të shtuar.