Ademola Lukman drejt Interit, për shkak të një premtimit

Ademola Lukman është objektivi kryesor i Interit për repartin ofensiv në sezonin 2025-2026. Klubi zikaltër ka arritur një marrëveshje parimore me sulmuesin nigerian, por pengesa më e madhe mbetet Atalanta, që ende nuk është bindur të ulë çmimin e kërkuar për kartonin e 27-vjeçarit.

Sipas burimeve nga Italia, klubi nga Bergamo nuk është i mbyllur përballë një largimi të mundshëm të Lukman, por ka vendosur një çmim të qartë, 50 milionë euro për klubet italiane. Në rast se transferimi do të ndodhte jashtë Italisë, çmimi mund të bjerë në rreth 40 milionë euro. Nga ana tjetër, Interi vlerëson sulmuesin mes 35 dhe 40 milionë euro, një diferencë që mund të bëhet pengesë, por jo e pakapërcyeshme.

Nëse nigeriani nuk rinovon këtë sezon dhe deri tani nuk ka sinjale në këtë drejtim, në verën e ardhshme ai do të ketë vetëm një vit kontratë, duke e vënë Atalantën përballë rrezikut të humbjes me një çmim shumë më të ulët ose pa përfitime fare në vitin 2027. Por është një tjetër detaj që Interi dhe Lukman po e përdorin si kartë kyçe në këtë merkato. Një premtim i bërë një vit më parë. Atëherë, Atalanta kishte marrë dy oferta të mëdha, një nga Juventusi për Kopmeiners dhe një nga PSZH për vetë Lukman. Klubi dhe trajneri Xhan Piero Gasperini nuk donin të humbnin të dy yjet njëherësh, ndaj u vendos të sakrifikohej holandezi, ndërsa Lukman qëndroi.

Në atë moment, nigerianit i ishte premtuar se këtë verë do të lejohej të largohej në rast të një oferte nga një klub i madh. Oferta ka ardhur dhe Interi është gati.

Për momentin, topi është në fushën e Atalantës. Interi pret me besim, por jo pa presion, që premtimi i vjetër të mbahet dhe që Lukman të vishet zikaltër në javët e ardhshme.

LEXO EDHE:

Back to top button