Ahmeti arsyeton arrestimin e Ramadanit: Kosova duhet të anëtarësohet në Interpol
Ahmeti arsyeton arrestimin e Ramadanit: Kosova duhet të anëtarësohet në Interpol
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se arrestimet dhe ndalimet e ish ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me kërkesë të Serbisë bazohen në vendimet ekzekutive të shteteve anëtare. I pyetur për arrestimin dhe paraburgimin e ish luftëtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani dy muaj më parë në Maqedoni, Ahmeti ka arsyetuar veprimet e policisë vendase me obligimet që burojnë nga marrëveshja për anëtarësim në Interpol.
“Interpoli ekzekuton vendime që marrin shtetet anëtare. Aty është Maqedonia, Shqipëria dhe kanë obligime që të respektojnë vendime të shteteve pjesëtarë të Interpolit”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Zgjidhja për këtë sipas Ahmetit është që Kosova sa më shpejtë të anëtarësohet në Interpol, por jo pa marrëveshje paraprake me BE-në dhe SHBA-të.
“Kjo është një çështje që duhet parë bashkë me komunitetin ndërkombëtarë që të përshpejtohet rruga e Kosovës drejtë anëtarësimit në Interpol. Pa anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë dhe pa një marrëveshje me faktorit ndërkombëtar, BE-në dhe SHBA-të, Serbia do të vazhdojë t’i mbaj në presion të gjithë ushtarët e UÇK-së, të gjithë aktivistët, listat janë plot e përlot me aktivistë kundër pushtuesit. Kjo çështje duhet parë me seriozitet të madh”, deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Policia e Maqedonisë së Veriut më 17 korrik arrestoi ish ushtarin e UÇK-së, Blerim Ramadani bazuar në një fletë arrest të lëshuar nga Gjykata e Beogradit, përmes INTERPOL Serbia, me pretendimin për krime lufte në verën e vitit 1999 në rajonin e Nerodimës. Të njëjtit iu caktua masa e paraburgimit ekstradues, ndërsa më pas u la në arrest shtëpie. Para kthimit në paraburgim dhe plotësimit të kushteve për ekstradim, Ramadani u arratis nga arresti shtëpiak dhe raportohet se është kthyer në Kosovë. Ramadani është shtetasi i tretë i Kosovës si ish-ushtar i UÇK-së, i arrestuar në Maqedoninë e Veriut mbi bazën e fletarrestimeve serbe. Paraprakisht ishin arrestuar Gafurr Dugolli dhe Tomorr Morina, por me vendim të gjykatës ishin lënë gjithashtu të lirë. /Alsat.mk