Aksidenti në Kroaci, avokati: Shoferi nuk më tha se e kishte zënë gjumi

Shoferit të autobusit nga Kosova, që u aksidentua të dielën në Sllavonski Brod të Kroacisë, i është shqiptuar masa prej 30 ditësh paraburgim. Gjykatësi i rastit, tha se paraburgimi është caktuar për shkak të rrezikut që i dyshuari mund të arratiset.

Gjykatësi i ka caktuar të dyshuarit paraburgim, për të pamundësuar arratisjen e tij. Ai tash shkon në burgun hetues në afat prej 1 muaji. Ai është deklaruar sot vetëm rreth paraburgimit dhe nuk ka dhënë asnjë dëshmi”, pohoi Franjo Kopuniq, zëvendës prokuror i Shtetit.

I pyetur se pse shoferi në deklaratën paraprake ka thënë se ishte i lodhur dhe i paaftë për të drejtuar automjetin dhe pastaj është mbrojtur në heshtje gjatë marrjes në pyetje, Kopuniq ka thënë se kjo gjë ka rezultuar nga mënyra në të cilën ishte kryer vepra, gjurmët e gomave dhe të gjitha rrethanat e tjera.

Njëri nga avokatët e shoferit tha se ai në asnjë moment nuk i kishte thënë se e ka zënë gjumi.

Unë arrita të flas me atë shkurtimisht, i vjen keq për gjithë këtë që ka ndodhur. Sipas informatave që i kam unë nga ai, ai në asnjë moment askujt nuk i ka thënë se e kishte zënë gjumi”, theksoi Igor Çishper, avokat.

26 persona të lënduar me lehtë janë liruar nga spitali, 15 të tjerë janë ende duke u trajtuar ndërsa njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla ka thënë se udhëtarët që kanë shpëtuar nga aksidenti do të kthehen në Kosovë me transport të linjës ajrore. Sveçla ka thënë për Evropën e Lirë se në mbrëmje pritet të kthen edhe trupat e personave që nuk arritën t’i mbijetojnë aksidentit.

Nga aksidenti rrugor në Sllavonski Brod, kanë vdekur dhjetë persona ndërkaq janë lënduar edhe 40 të tjerë. Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë, ku njëri nga shoferët ka vdekur. Autobusi po udhëtonte në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Shkëlzen Aqifi

LEXO EDHE:

Back to top button