Aktivistë të Alternativës nga dega e Çairit, kërkojnë shkarkimin e Bekim Sali

Aktivistë të Alternativës nga dega e Çairit, kërkojnë shkarkimin e Bekim Sali

Gazetare: Ajnur Bafqari

Njëmbëdhjetë anëtarë të pakënaqur të degës së Çairit të partisë Alternativa, kërkojnë që brenda 10 ditëve të iniciohet shkarkim i Ministrit të Shëndetësisë nga radhët e kësaj partie. Ata thonë se Bekim Sali nuk i ka realizuar synimet dhe nuk i ka përmbushur objektivat partiake, përkatësisht ka shkelur të gjitha pikat që e përkufizojnë Alternativën. Meriton Civuli emri i të cilit u përfol në media për shkarkim nga funksioni i shefit të kabinetit të ministrit Sali, mohoi që ky reagim të jetë për çështje personale.

“Apelojmë deri te kryetari i partisë, konform kompetencave që ka, dhe obligimeve me të cilat e ngarkon Statuti i partisë që në afat prej 10 ditësh të iniciojë shkarkimin e ministrit. Përndryshe, përgjegjësia për hapat e mëtutjeshme, dëmet dhe pasoja në parti do të bien ekskluzivisht mbi të”, deklaroi Meriton Civuli, anëtar i kryesisë së Alternativës.

Por në komunikatën e degës së Alternativës në Çair, të nënshkruar nga kryetari i saj Faton Fazliu, theksohet se kjo është kërkesë e disa aktivistëve ndërsa organet e degës nuk kanë pasur asnjë ankesë dhe pakënaqësi ndaj asnjë zyrtari të partisë. Fazliu thekson se ky reagim mund të jetë si rezultat i pakënaqësive personale.

“As në Kryesinë e Degës e as në Kuvendin e Degës, që është mbajtur para do kohe, nuk ka pasur asnjë vërejtje dhe ky reagim i sotëm nuk ka të bëjë me Degën e Çairit, por mund të jetë rezultat i pakënaqësive personale”, thonë nga dega e Çairit të Alternativës.

Nga ana tjetër ministri i Shëndetësisë Bekim Sali tha shkurt për mediat se çfarë të komentojë për tre ambiciozë për tenderë.

11 anëtarët e pakënaqur te degës së Çairit ndër ankesat kryesore ndaj Bekim Sali rendisin mos-marrjen e dy drejtorive në klinikat universitare dhe kryetarin e bordit drejtues në Fondin Shëndetësorë, mos-avancimin e kuadrove shqiptarë, mungesën e projekteve konkrete për investime kapitale nëpër vendbanimet shqiptare dhe mungesën e një iniciative për reformim të ministrisë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button