Alergjitë mbushin spitalet me pacientë

Alergjitë mbushin spitalet me pacientë

Gazetare: Vjollca Aliti

Rritet numri i rasteve që kërkojnë ndihmë mjekësore si pasojë e alergjive të pranverës. Në Institutin e sëmundjeve të mushkërive Kozle në Shkup në bazë ditore paraqiten mbi 100 raste në ambulancë, ku shumë prej tyre me simptome të alergjive stinore. Por i konsiderueshëm është dhe numri i atyre që shtrihen në Institut për trajtim mjekësor të mëtejmë. Mjekët thonë se alergjitë e stinës shpesh dinë të shkaktojnë komplikime shëndetësore. Rekomandojnë që të paraqiten te mjeku kur të vërejnë simptome si kollitje, teshtima apo lotim të syve.

“Duhet të caktohen kontrolle të rregullta edhe tek fëmijët e vegjël komplikimet janë bronhit, laringit por tek fëmijët më të mëdhenj nëse këto simptoma anashkalohen dhe nuk vijnë në kontroll të rregullt atëherë mund të vijë deri te dëmtimi i pakthyeshëm i mushkërive. Alergjitë janë trashëguese, prindërit që kanë alergji edhe fëmijët e tyre kanë alergji, kështu që bartet. Alergjitë janë që në lindje por manifestohen”, deklaroi Luljeta Mustafa Ramadani, Instituti i mushkërive Kozle.

Mjekët amë thonë se shpesh pacientët ngatërrojnë simptomat e gripit me ato të alergjive stinore, dhe si pasojë nuk kërkojnë ndihmë mjekësore duke menduar se bëhet fjalë për ndonjë grip apo ftohje.

“Kemi një paraqitje të alergjive pranverore apo sezonale që përcillen me teshtima, kollitje, rrjedhje të hundëve të lotëve vështirësi në frymëmarrje dhe ngatërrohemi sepse simptomat e alergjisë, të ftohjes, të viruseve thuajse janë njësoj me të kollitura. Por një gjë ta kemi të qartë se sezoni i virusit sezonal fillon në fillim të janarit dhe mbaron me mbarimin e prillit, fillimin e majit. Mbas 1 majit nuk ekziston virusi sezonal”, u shpreh Sedat Lumani, Pediatër.

Të dhënat zyrtare flasin se në Maqedoni ashtu dhe në botë është rritur numri i personave të cilët janë të prekur nga ndonjë lloj reaksioni alergjik. Në Maqedoni çdo i katërti qytetar është i prekur nga riniti alergjik. Ndërkohë mjekët thonë se nuk ekziston ndonjë moshë e caktuar në të cilën mund të shfaqet alergjia por karakteristikë për alergjitë e pranverës është fakti se ajo shfaqet në adoleshëncë. Statistikat flasin se çdo kush të paktën një herë në jetë ka pasur ndonjë lloj manifestimi alergjik. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button