Alsat mëson: Gjykata e Apelit i ka vërtetuar dënimin me burg të përjetshëm Derplaninit

Alsat mëson: Gjykata e Apelit i ka vërtetuar dënimin me burg të përjetshëm Derplaninit

Televizioni Alsat jo zyrtarisht mëson se Gjykata e Apelit i ka vërtetuar dënimin me burg të përjetshëm të dënuarit në rastin “Alfa”, Almir Derplanin, gjykimi për të cilin udhëhiqej ndaras nga të dënuarit tjerë për këtë rast. Burime nga gjykata e shkallës së dytë bëjnë të ditur se trupi gjykues me në krye Zoran Dimitrievskin e ka marrë këtë vendim javë më parë, por i njëjti akoma nuk është publikuar. Gjatë kohës kur trupi gjykues ka shqyrtuar ankesën e mbrojtjes së Derplanin, Këshilli Gjyqësor kishte formuar ekip për monitorim të jashtëzakonshëm të rastit “Alfa” ku edhe u konstatua shkelje e Ligjit të procedurës penale dhe zvarritje dhe anulime të disa seancave me kërkesë të mbrojtjes. Seancat ishin anuluar edhe pse gjykatësi kishte të drejtë që në përputhje me ligjin të mbante seancën edhe pa prezencën e palës.

Vendimi me burg të përjetshëm ndaj Derplanin, ashtu siç kishte paralajmëruar Alsat më parë vështirëson edhe më shumë rigjykimin për Agim Islamin, i dënuar në rastin “Alfa” e që pret dritën jeshile për rigjykim mbi dëshmitë e reja të siguruara në rrugë ligjore. Ankesa e Derplanin në Gjykatën Supreme përveç që do të merrte kohë deri në sjelljen e një vendimi nga gjykata e shkallës së fundit, do të pamundësonte edhe kompletimin e dosjes të cilën e kërkon kreu i Gjykatës Penale, që të mund më pas të nisë procesin për rigjykim mbi bazën e akt ekspertizës në të cilën është konstatuar se Agim Islami dhe i ndjeri Rexhail Qerimi nuk janë aktorët e vrasjes së policit në vitin 2008 në Shkup.

Ndërkohë sot u bë një vit nga vdekja e Rexhail Qerimit ish i dënuar me burg të përjetshëm në rastin “Alfa”. Të parët të cilët e kanë kujtuan përvjetorin e vdekjes ishin familjarët dhe shokët e burgut. Pas vdekjes së tij, liderët e partive politike kishin premtuar zbardhjen e rastit dhe dëshmimin e pafajësisë, por deri sot nuk është vepruar asgjë në këtë drejtim. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti e kishte ngushëlluar familjen Qerimi me keqardhjen se Rexhili nuk arriti ta pret ballafaqimin me drejtësinë e re, ndërsa kreu i Alternativës, Afrim Gashi paraprakisht kishte deklaruar se me hyrjen e tij në Qeveri do të mundësonte hetim ndërkombëtar për rastin “Alfa” dhe rastet e tjera gjyqësore.

Për vrasjen e një polici dhe plagosjen e dy të tjerëve në parkingun e Fakultetit Matematiko-natyror në Shkup, Rexhail Qerimi dhe Agim Islami u dënuan me burg të përjetshëm. Almir Derplanin ishte gjykuar në mungesë, por më pas u ekstradua nga Kosova në Maqedoni. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button