Amerikanët e papunë po bëhen “mushkat” e karteleve të drogës për t’i mbijetuar pandemisë

Karteli i Sinaloas, ndoshta organizata më e madhe në botë e trafikut të lëndëve narkotike, ka pësuar goditje, si çdo korporatë e botës së rregullt të biznesit, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Me kufizimin e lëvizjeve në kufi dhe shtimin e sigurisë, trafikantëve u është dashur të përdorin metoda të reja për të dërguar kokainën, marijuanën, heroinën dhe droga të tjera nga Meksika në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kartelet janë përshtatur prej kohësh me kushtet e reja”, thotë për “New York Times” Scott Brown, shefi i Hetimeve në degën e Arizonës në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare. “Janë novatorë dhe kërkojnë gjithmonë mënyra të reja për të lëvizur prodhimin e tyre”.

Por ndërsa dronët, nëndetëset dhe kriptomonedhat kishin nisur të përdoreshin prej kohësh si mjete për shit-blerjen e lëndëve narkotike, faktori “njeri” është bërë vendimtar gjatë pandemisë. Në fakt, amerikanët e papunë, gjithmonë e më shumë po joshen nga paratë që fitojnë duke bërë “mushkën” – siç quhet në zhargonin e tyre – e karteleve të drogës, duke kaluar kufirin me sasi të konsiderueshme kokaine dhe heroine.

Deri para pandemisë, zyrtarët amerikanë thonë se këtë punë e bënin më tepër shtetas të huaj, ndërsa kriza ka detyruar shumë njerëz me dokumente të rregullta amerikane, ose me leje qëndrimi të përhershme që të nisin “karrierën” e re.

“Nuk është e vështirë të gjesh punë, nëse bëhet fjalë për transportin e drogës”, thotë për “Vice News” një shtetase amerikane. “Në vendin ku punoja më hoqën nga puna pasi nisi pandemia. Nuk kisha si të ndihmoja familjen time. Paraja fitohet lehtë dhe është e vështirë ta lësh këtë punë, edhe pse nuk dua ta bëj përgjithmonë”. Ajo tregon se fiton 4000 dollarë sa herë që kalon kufirin dhe deri tani e ka bërë këtë gjë 9 herë. Makina e saj është kontrolluar disa herë nga policia në kufi, edhe me qen antidrogë por pakot me lëndë narkotike lyhen me detergjente për të bërë thuajse të pamundur identifikimin e tyre.

Pika e preferuar e kalimit është në Meksikali, qytet meksikan ngjitur me kufirin amerikan. Policia vendase ka shtuar forcat për të parandaluar trafikun dhe ushtron rregullisht kontrolle, por frenimi i kësaj dukurie është i pamundur.

LEXO EDHE:

Back to top button