Arkeologët zbulojnë një mumje 800 vjeçare në Peru

Një ekip ekspertësh ka gjetur një mumje në bregun qendror të Perusë, që vlerësohet të jetë të paktën 800 vjeç, tha një nga arkeologët që morën pjesë në gërmime.

Mbetjet e mumifikuara ishin të një personi nga kultura që u zhvillua midis bregdetit dhe maleve të vendit të Amerikës së Jugut. Mumja, gjinia e së cilës nuk u identifikua, u zbulua në rajonin e Limës, tha arkeologu, Pieter Van Dalen Luna.

“Karakteristika kryesore e mumjes është se i gjithë trupi ishte i lidhur me litarë dhe me duar që mbulonin fytyrën, gjë që do të ishte pjesë e modelit lokal të funeralit”, tha Van Dalen Luna, nga universiteti shtetëror i San Marcos.

Eshtrat janë të një personi që jetonte në rajonin e lartë të Andeve të vendit, tha ai.

Mumja u gjet brenda një strukture nëntokësore në periferi të qytetit të Limas. Në varr kishte edhe qeramikë, mbetje perimesh dhe vegla guri.

Peruja është shtëpia e qindra vendeve arkeologjike nga kulturat që u zhvilluan para dhe pas perandorisë Inka, e cila dominoi një pjesë të Amerikës së Jugut 500 vjet më parë, nga Ekuadori jugor dhe Kolumbia në Kilin qendror.

LEXO EDHE:

Back to top button