Arrestohet motra e bosit të Cosa Nostra-s, ndihmoi vëllanë gjatë arratisë

Arrestohet motra e bosit të Cosa Nostra-s, ndihmoi vëllanë gjatë arratisë

Efektivët e Repartit të Operacioneve Speciale të Karabinierëve, në Itali, kanë arrestuar nën akuzën e pjesëmarrjes në organizatë mafioze motrën e bosit të Cosa Nostra-s, Matteo Messina Denaro.

Sipas hetuesve, Rosalia Messina Denaro ka ndihmuar për vite më radhë të vëllanë për t’i shpëtuar arrestimit dhe ka menaxhuar për llogari të tij financat e familjes dhe rrjetin e shpërndarjes së mesazheve, duke i mundësuar bosit mafioz të ruante lidhjet me njerëzit e tij gjatë arratisë 30-vjeçare.

Ishte pikërisht një mesazh i shkruar në copëza të vogla letre mbi gjendjen shëndetësore të bosit të Cosa Nostra-s, i gjetur poshtë jasëkut të një karrigeje në shtëpinë e gruas, që u dha hetuesve të dhënat që çuan në arrestimin e kreut të mafies 16 janarin e kaluar.

Rosalia, më e madhja e katër motrave të Messina Denaros, ka edhe bashkëshortin dhe të birin të dënuar me nga 16 dhe 14 vjet burg për pjesëmarrje në organizatë mafioze.

Sipas hetuesve të Prokurorisë së Palermos, Rosalia ka qenë për vite me radhë pika ekonomike e referimit e të vëllait, personi më i besuar i tij që e ka ndihmuar t’i shpëtojë arrestimeve për krime të rënda, si dhe njeriu që i ka mundësuar Cosa Nostra-s të ketë një shef autoritar, me të cilin anëtarët e organizatës kriminale mund të mburreshin./euronews.al/

LEXO EDHE:

Back to top button