Arsovska do të blejë 50 autobusë ekologjikë, premtoi 250

Arsovska do të blejë 50 autobusë ekologjikë, premtoi 250

Gazetare: Evi Shkopi

Në thirrjet publike të Qytetit të Shkupit për plotësimin e disa linjave të qarkullimit urban në kryeqytet nuk është paraqitur askush. Një ditë më parë kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska ka informuar këshilltarët se si pikë e rendit të ditës në seancën e Këshillit të Qytetit më 26 janar të vendoset edhe huamarrja prej 10 milion euro nga bankë vendore për blerje të 50 autobusëve ekologjik.

“Për të promovuar më tej vizionin e një Shkupi modern, duke mundësuar transport publik lehtësisht të qasshëm dhe modern, duke u kujdesur për cilësinë e jetës dhe mjedisin, është obligim dhe prioritet në punën tonë që të investojmë në eko autobusë në mënyrë që të të kryejë transportin publik në mënyrë më efikase. Me marrjen e këtij vendimi, qytetit të Shkupit do t’i mundësohet që përmes huamarrjes afatgjate të brendshme të blejë eko-autobusë”, njoftojnë nga Qyteti i Shkupit.

Për marrjen e një vendimi të tillë kryetares së Qytetit të Shkupit i nevojitet shumicë votash. Nuk dihet ende se kush do të jetë pro dhe kush kundër. Jo zyrtarisht këshilltarët e VMRO-së thonë se ende nuk kanë një qëndrim sepse nuk janë koordinuar, duke qenë se materialin e kanë pranuar një natë më parë. Por thonë se në dokumentin që u është dorëzuar dhe që është vetëm një faqe, nuk ka asnjë detaj madje as për cilën bankë bëhet fjalë. Sipas tyre, për një vendim të tillë duhet debat publik.

Në Këshillin e Qytetit të Shkupit VMRO DPMNE ka 18 këshilltarë, ndërsa LSDM 12, BDI ka 5, “E majta” 4, ndërsa nga dy kanë koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, koalicioni PLD/DOM dhe kandidatët e pavarur nga “Qyteti i Gjelbër Human”. Arsovska në fushatën zgjedhore premtoi 250 autobusë të rinj, ndërsa huamarrja prej 10 milionë eurosh është vetëm për 50 vetura. Nëse aprovohet artikulli, autobusët e rinj do të bliheshin për një vit e gjysmë, sepse kaq zgjat procedura. Fillimisht duhet shpallur një tender, i cili me thirrjen, përzgjedhjen dhe apelimin zgjat disa muaj dhe më pas kompania që do të zgjidhet duhet të prodhojë autobusët. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button