ASH-ja cakton ministrat e rinj, Alternativa pa vendim

ASH-ja cakton ministrat e rinj, Alternativa pa vendim

Gazetar: Adrian Kerimi

Marrëveshja e arritur mes kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kreut të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari përfshin dy ministri për ASH-në, dy zëvendësministra dhe disa drejtori dhe pozita të zëvendësdrejtorëve në nivel qendror dhe rajonal. Aleanca për Shqiptarët do të udhëheq me ministrinë e Drejtësisë ku për ministër është paraparë Krenar Lloga, aktualisht anëtar i KSHZ-së. Gjithashtu për Aleancën është paraparë edhe ministria e Shëndetësisë, ku si emër ministri lakohet ai i Fatmir Mexhitit. ASH do të ketë edhe dy zëvendësministra, në Mbrojtje ku është paraparë Tiron Jahjaga dhe në Bujqësi, emër i cili akoma nuk është definuar. Dalja eventuale e Alternativës i çon edhe një post ministror Aleancës, atë të Shoqërisë Informatike. Nëse mbetet Alternativa, ASH do të merr pozitën e zëvendëskryeministrit për ku është paraparë nënkryetari i partisë, Elmi Aziri. Largimi eventual i tij nga pozita e deputetit, në Kuvend sjellë nënkryetaren Bujare Abazi.

 “Ka dy opsioni, ose Ministria për Shoqëri Informative dhe Administratë ose Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike. Dy ministri janë të sigurta, Shëndetësi dhe Drejtësi dhe e treta ose zëvendëskryeministri ose ministri i Administratës”, tha Arben Tarvari, Kryetar i ASH-së.

Gjatë ditës mësohet se Kovaçevski ka takuar Gashin, por epilogu i takimit nuk dihet dhe palët nuk kanë konfirmuar dhe as përgënjeshtruar një takim të tillë. Pas Gashit, Kovaçevski do të takojë  Taravarin nga i cili do të pret deponimin e emrave për pozitat në ekzekutiv. Përveç nga Alternativa, ASH-ja me hyrjen e saj në Qeveri merr pozita edhe nga BDI-ja. Partia e Ali Ahmetit jep zëvendësdrejtorin e DAP-it, ndërsa mësohet se do të largohet edhe zëvendësministri i Drejtësisë, Agim Nuhiu me qëllim që njeriu i dytë i këtij dikasteri t’i takojë partive nga blloku politik maqedonas. ASH do të marr edhe drejtorin e MEPSO-s, Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Avokatin e Shtetit, Drejtorinë për Menaxhimin e Pronave të Konfiskuara, Hekurudhat, Inspektoratin e Arsimit etj. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button