Avokati i Hashim Thaçit: Nëntë ish-diplomatë të dëshmojnë në Gjykatën Speciale

Avokati i Hashim Thaçit: Nëntë ish-diplomatë të dëshmojnë në Gjykatën Speciale

Avokati i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, i ka dërguar një letër  Kryeprokurorit të Hagës, Jack Smith, ku shprehet se në listën e dëshmitarëve mbrojtës për rastin, janë edhe nëntë ish-diplomatë.

Në to, përfshihen figura ushtarake të NATO, të OSBE-së, UNMIK-ut e misione të tjera të cila kanë qenë në Kosovë gjatë kohës së luftës.

Kehoe ka theksuar se edhe një zyrtar i lartë i një shteti fqinj të Kosovës, do të dëshmojë.

“Këta 9 dëshmitarë ndërkombëtarë, ishin të gjithë, në periudhën e aktakuzës, diplomatë të lartë ndërkombëtarë, administratorë dhe figura ushtarake që shërbenin në pozita të larta në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO); Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE); Kombet e Bashkuara (OKB); Administrata e Përkohshme e OKB-së në Kosovë (UNMIK); Misioni Monitorues i Kosovës (MVK); Misioni Vëzhgues Diplomatik i Kosovës (MKDK); dhe një zyrtar i lartë qeveritar nga një vend fqinj me Kosovën. Ata kanë bashkëvepruar ngushtë me z. Thaçi, si në nivel profesional ashtu edhe në disa raste edhe personal.”, thuhet në letrën e avokatit Kehoe.

Letra e avokatit të Thaçit

Disa ditë më parë, gjyqtari i Procedurës Paraprake të Gjykatës Speciale, Nicolas Guillou, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Hagës për  të ndyshuar akt-akuzën ndaj Hashim Thaçit.

Prokuroria Speciale ka kërkuar që nga aktakuza të hiqen pretendimet për krime në qytetin e Ferizajt.

Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020.

Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit Special ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Në këtë aktakuzë të re, Prokuroria Speciale ka rënduar akuzat ndaj katër ish-zyrtarëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./euronews.al/

LEXO EDHE:

Back to top button