Bajden ashpërson retorikën ndaj Putinit
Gazetar: Semra Musai
Dy ditë pasi e quajti kriminel lufte, presidenti amerikan Xho Bajden i shton doza të tjera homologut të tij rus si diktator vrasës dhe bandit, shkruan Alsat.
“Keni Irlandën dhe Britaninë e Madhe duke qëndruar së bashku kundër një diktatori vrasës si Presidenti rus Vlladimir Putin, një bandit që po bën një luftë imorale kundër popullit të Ukrainës”, tha Xho Bajden, President i Amerikës
Për Kremlinin deklaratat e tilla përbëjnë ofendim personal ndaj figurës së Putinit.
“Duke marrë në konsideratë irritimin e Bajdenit, pleqërinë tij, ndonjëherë e shoqëruar me harresa, udhëheqjen e dobët dhe deklaratat e tij agresive, ne sigurisht nuk do të bënim gjykime të ashpra për të mos ndezur agresion tjetër të kotë”, tha Dmitri Peskov, zëdhënës i Presidentit rus
Ndërsa Perëndimi akuzon Moskën për krime lufte dhe përdorimin e armëve që janë të ndaluara me konventë, Lavrov thotë se pikërisht SHBA-ja ka themeluar mbi 300 laboratorë biologjikë në tërë botën përfshi në Ukrainë, të cilën e quajti projekti i Pentagonit.
“Të dhënat që janë grumbulluar sugjerojnë se në Ukrainë po kryhen krime lufte dhe fajtore për krimet e luftës absolutisht është Presidenti rus, njeriu që vendosi të ndërmarr këto veprime”, tha James Heappey, Ministri britanik i forcave të armatosura
“Ne do të këmbëngulim që kjo çështje të shqyrtohet nga Konventa e Armëve Biologjike, por edhe nga Këshilli i Sigurimit, sepse përbën kërcënim të qartë ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, tha Sergej Lavrov, Ministër i Jashtëm i Rusisë
Kryeprokurori i Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë një ditë më parë zbriti në Ukrainë dhe Poloni në kuadër të hetimit të krimeve të mundshme të luftës nga pushtimi rus i Ukrainës. Ai tha se sulmet kundër civilëve dhe objekteve civile përbëjnë krim lufte, ndërsa të gjithë autorët e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në Ukrainë do të mbahen përgjegjës. /Alsat.mk








