BDI dhe VMRO i nxjerrin “të palarat” njëra tjetrës

BDI dhe VMRO i nxjerrin “të palarat” njëra tjetrës

Gazetar: Adrian Kerimi

BDI-ja ka ashpërsuar gjuhën kundër ish partnerit disa vjeçar në Qeveri, VMRO-DPMNE-së pas akuzave të kësaj të fundit drejtuar zv.kryeministrit Artan Grubi dhe funksionarëve të tjerë integristë mbi dyshime për përfshirje në afera korruptive. Në reagimin e BDI-së thuhet se VMRO-DPMNE-ja është organizatë kriminale e vërtetuar sipas tyre me aktvendim gjyqësor.

“Organizata kriminale e konfirmuar nga gjykata, VMRO DPMNE e Hristijan Mickoskit u shndërrua në nxitës të një narrativi antishqiptar në shoqërinë tonë dhe po garon me Levicën e Apasievit për sulme raciste. VMRO DPMNE e Mickoskit është partia e vetme në vend të cilës gjykata i ka ngrirë të gjitha pasuritë për shkak të konfirmimit se është organizatë kriminale. Kryetarët e komunave të kësaj VMRO DPMNE të Mickoskit potencojnë se kanë udhëzime nga Mickoski, i njohur si “shpicen komandant”, që të mos lëshojnë vërtetime për legalizimin e shtëpive të shqiptarëve në komunat e tyre në përputhje me ligjin dhe nën asnjë kusht të mos angazhojnë kompani të shqiptarëve në komunat e tyre, si dhe të mos lëshojnë leje ndërtimi për shkak të politikave demografike raciste”, thonë nga BDI.

VMRO-DPMNE-ja ka reaguar ndaj qëndrimit të BDI-së duke i kujtuar Artan Grubit se dyshimet për afera korruptive nuk kanë të bëjnë asgjë me qasjen e VMRO-së kundër shqiptarëve, por sipas tyre me krimet e Grubit në dëm të qytetarëve. VMRO madje kujton Grubin për kohën e kaluar në selinë e tyre.

“Grubi duhet ta din se nuk ka asgjë anti-shqiptare në shfaqjen e kriminalitetit të tij, por ka shumë dëm kundër shqiptarëve në pasurimin e tij mbi kurrizin e maqedonaseve, shqiptarëve dhe gjithë qytetarëve të tjerë. Me të vërtetë nuk e kuptojmë qasjen e re të Artan Grubit ndaj VMRO-DPMNE-së e cila dallon nga qasja e viteve të kaluara kur duke u dridhur vinte në selinë e VMRO-DPMNE-së, me orë të tëra përulej para portreteve të luftës revolucionare maqedonase dhe fliste me mahnitje për rolin e VMRO-së në betejën maqedonase për liri. Legjenda thotë se i vogli Grubi, thënë me gjuhën e popullit “as me levë nuk mundeshin ta nxjerrin nga shtabi i VMRO-DPMNE-së”, njoftojnë nga VMRO-DPMNE.

Akuzat BDI-VMRO të llojit para fushatave zgjedhore u aktualizuan pasi opozita maqedonase akuzoi publikisht Grubin dhe familjen e tij për përfitimin e pasurisë milionëshe fal ndikimit politik që sipas tyre Grubi e shfrytëzon për të afërmit e tij. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button