BDI-ja e harron në burg Rexhail Qerimin!

Gazetar: Adrian Kerimi 

Me gjashtë rreshta ngushëllim në Fejsbuk  kreu i BDI-së Ali Ahmeti i dha lamtumirën e fundit ish bashkëluftëtarit të UÇK-së, Rexhail Qerimi i dënuar me burg të përjetshëm në rastin “Alfa”. Ahmeti në ngushëllimin e tij të pranon se ky rast ka ngritur dyshime në opinion dhe se rigjykimi kërkohet me të drejtë. Vdekjen e Qerimit, kreu i BDI-së e cilësoi si ikje para kohe pa e pritur përballjen e re me drejtësinë. Por, sa ka bërë BDI-ja për zbardhjen e këtij rasti, kur dihet fakti se kjo parti përveç se është në pushtet që nga vitit 2008, ajo deri më sot në dikasterin e Drejtësisë është përfaqësuar me njeriun e parë dhe të dytë, shkruan Alsat.

2011-2014Blerim Bexheti, ministër
2014-2016Adnan Jashari, ministër dhe Valdet Xhaferi, ministër
2017-2020Bilent Saliji, ministër
2020-2024Agim Nuhiu, zëvendësministër

 

Blerim Bexheti, Ministër i Drejtësisë nga radhët e BDI-së në kohën e të cilit Gjykata Supreme vulosi vendimin e Penales dhe Apelit, respektivisht më 14 qershor 2011.

Adnan Jashari, Ministër i Drejtësisë nga radhët e BDI-së, në kohën kur i dënuari në arrati për këtë rast Almir Derplanini u ekstradua për të vuajtur dënimin me burg të përjetshëm. Pas tij erdhi ministër Valdet Xhaferi i cili aktualisht është drejtor në Byronë për ekspertizë gjyqësore, aty nga ku duhet të dal mendimi nëse ekspertiza për rastin “Alfa” pranohet ose jo si në përputhje me Ligjin e procedurës penale.

Bilent Saliji, Ministër i Drejtësisë nga radhët e BDI-së në kohën kur mbrojtja në rastin “Alfa” i kishte kërkuar ndihmë që përmes ish Prokurorisë Speciale Publike të mundësohet qasja deri tek përgjimet që posedon ish organi special i akuzës për të parë nëse ekzistojnë prova që dëshmojnë pafajësinë e të dënuarve.

Agim Nuhiu, zëvendësministër i Drejtësisë nga radhët e BDI-së në mandatin e fundit të Qeverisë ku edhe vazhdon të mbetet në atë pozicion edhe pas rikonstruimit të Qeverisë. Edhe pse disa herë është prononcuar se ekspertiza e ofruar është në përputhje me Ligjin për ekspertizë, nisma e Nuhiut për të propozuar Ligj për rivlerësimin e fakteve dhe provave të përdorura në procedurë gjyqësore, mundësi kjo e cila i hapte dyert pikërisht rastit “Alfa” ngeci në Kuvend në fazën e parë.

Të gjitha periudhat e lartpërmendura korrespondojnë me kërkesat e të dënuarve dhe familjarëve të rastit “Alfa” për drejtësi. Por deri më sot, as në fazat kur është negociuar për shumicë të re parlamentare nga viti 2008 e këtej, ky rast nuk ishte pjesë e prioriteteve të BDI-së. Eksponentë të tjerë të partisë së Ali Ahmetit gjatë fushatave zgjedhore gjithë i kanë premtuar zbardhjen e rastit familjes Qerimi dhe asaj Islami, por ky premtim është shuar në ditën kur janë formuar qeveritë.

Por qytetarët syçelë nuk e lanë pa i kujtuar Ahmetit në profilin e tij në Facebook se vdekja e Rexhail Qerimit është vazhdimësi e padrejtësive që i kanë ndodhur shqiptarëve gjatë qeverisjes së tij. Në disa komente u përmend loti i nënave shqiptare dhe burgjet e mbushura me njerëz të pafajshëm dhe ish bashkëluftëtarë të UÇK-së.

 

LEXO EDHE:

Back to top button