BDI-ja e ka harruar vetingun e premtuar, Ademi: Të gatshëm ta dorëzojmë ligjin përsëri

BDI-ja e ka harruar vetingun e premtuar, Ademi: Të gatshëm ta dorëzojmë ligjin përsëri

Gazetare: Fatlume Dervishi

Një ligj për veting të përgjithshëm u propozua nga BDI-ja në fillim të vitit 2020, kaloi filtrin e parë në Kuvend, por shpejt u harrua pas shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të reja. Ai parashikonte kontrollimin e pastërtisë së gjykatësve, prokurorëve, nëpunësve të policisë dhe funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar. Një ditë pas njoftimit nga ambasadorja e SHBA për zbarkimin e një grupi ekspertësh amerikan për detektimin e funksionarëve të korruptuar, koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së Arbër Ademi, thotë se janë të gatshëm ta dorëzojnë nismën përsëri në Kuvend.

“Sigurisht se jemi të gatshëm dhe në më tepër situata dhe raste kemi përsëritur se nëse dëshirojmë të ndërtojmë një demokraci të konsoliduar, funksionale, atëherë sundimi i së drejtës, rendi dhe ligji duhet të funksionojë sipas parametrave të vendeve properëndimore evropiane. Andaj jemi të gatshëm në çdo moment të bëjmë dorëzimin e këtij ligji”, deklaroi Arbër Ademi, BDI.

Vetingu si proces është përmendur disa herë në vend. Bashkimi Evropian është kundër një vetingu në gjyqësor dhe prokurori i cili do të ishte i ngjashëm me atë në Shqipëri. Unioni thotë se vendi duhet të gjejë mekanizma të tjerë për të çrrënjosur korrupsionin nga organet e drejtësisë. Mungesa e vullnetit politik, ka bërë të mos ketë një hap konkret. Edhe në rastin e propozimit të BDI-së, kjo parti nuk e din nëse do të ketë përkrahje për një veting më të gjerë.

“Me ju thënë të drejtën, për shkak të agjendës së ngjeshur e propozim-ligjeve dhe akteve të tjera që kemi në Kuvend, veçmas për këtë çështje nuk kemi biseduar në një tryezë më serioze ta quaj, të paktën unë si shef i grupit parlamentar, por megjithatë qëndrimi ynë dihet botërisht, partitë politike e dinë, ne insistojmë që të ketë veting”, deklaroi Arbër Ademi, BDI.

Propozimi i BDI-së i vitit 2020 parashikonte themelimin e një Agjencie të posaçme e cila do të bëjë vetingun e politikanëve, bartësve të funksioneve publike, gjykatësve dhe prokurorëve./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button