BDI-ja mbledh kryesinë qendrore, në rend dite “Fronti për Evropën”

BDI-ja mbledh kryesinë qendrore, në rend dite "Fronti për Evropën"

Gazetare: Vjollca Aliti

Në mbledhjen e kryesisë së BDI-së është diskutuar vetëm mbi strategjinë e “Frontit për Evropë”. Kreu i partisë Ahmeti tha se çështje të tjera që kanë të bëjnë me përçarjet brenda partisë janë minore në krahasim me temën mbi integrimin e vendit drejt BE-së. Ahmeti hodhi poshtë pretendimet e “Grupi të Zjarrit” se anëtarët e tij po shkarkohen nga funksionet për shkak të mendimit ndryshe. Caktimin e koordinatorëve ndërkaq në Çair dhe Saraj e arsyetoi me atë që edhe në kaluarën ka pasur të tillë.
“Është e drejtë ekskluzive e kryetarit të partisë për çështje të ndryshme ngarkon njerëz për çështje që do të ketë informacion dhe që do të bëjë një zhvillim në terren. Z. Mexhiti ka qenë koordinator për Tetovë dhe Gostivar, z.Bejta e kam pasur për Strugë, z.Durakun për Sarajin vite më parë”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
I pyetur nga gazetarët nëse kërkesat e grupit të zjarrit për llogaridhënien e ministrave do të diskutohen javën tjetër, ai tha se kjo çështje është e mbyllur dhe se partia nuk do përçahet.
“Kjo temë është biseduar jo një herë. Raportet janë publike për opinion, për të gjithë njerëzit që janë të interesuar…Bashkimi Demokratik për Integrim nuk shpërbëhet sepse nuk është ndërtuar për shpërbërje, është ndërtuar për të ndërtuar dhe po ndërton”, shtoi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Por Izet Mexhiti, u shpreh i bindur se në mbledhjen e caktuar për javën tjetër, kërkesa e grupit të zjarrit do të jenë në rend dite.
“Javën tjetër, zëdhënësi i partisë tregon që do bisedohet për kërkesat e grupit të zjarrit”, tha Izet Mexhiti, Grupi i zjarrit.

Por ndryshe mendon Artan Grubi. Sipas tij jo që kërkesat nuk do të diskutohen, por Grupi i Zjarrit nuk ekziston më.
“Nuk besoj se ekzistojnë më”, u shpreh Artan Grubi, Zv kryeministër.
Kjo është mbledhja e tretë e kryesisë së partisë që kur BDI formoi organet partiake me kërkesë të grupit të zjarrit. As sot nuk munguan mesazhet përmes këngëve folklorike. Kreu i BDI-së Ahmeti para takimit tha se grupit të zjarrit i dedikon këngën “Po i bie era rretë e zeza” ndërsa Grubi tha se kënga e tij e preferuar është “Keq Hyseni”. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button