BE: Kosova e Serbia ta pranojnë propozimin evropian

BE: Kosova e Serbia ta pranojnë propozimin evropian

Në prag të takimit të së hënës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut në nivel të lartë, në Bruksel janë shprehur se presin që ata, pa diskutime të mëtejme, ta pranojnë propozimin evropian dhe të diskutojnë vetëm për implementimin e marrëveshjes. Këtë e ka thënë një zyrtar i lartë evropian, duke folur me gazetarët në Bruksel, me kusht anonimiteti. “Do të jetë takimi i gjashtë me radhë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Por, do të jetë takimi më i rëndësishëm deri më tash sepse takimet e fundit ishim më shumë për menaxhimin e krizave, sesa për normalizim të raporteve. Tash fokusi është te propozimi evropian”, ka thënë ky zyrtar. “Presim që liderët ta miratojnë propozimin. Nuk duam që të diskutojmë për propozimin dhe përmbajtjen e tij sepse ata e dinë që nga shtatori këtë. Nuk ka hapësirë që të pajtohen për një pjesë e jo për tjerat. Por, jemi të hapur për të diskutuar modalitetet e implementimit”, ka deklaruar ky zyrtar. Të hënën, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, fillimisht do të ketë takime bilaterale me liderët ndaras, e pastaj takim të përbashkët. Në BE thonë se nuk presin që ky takim të jetë për krizat, por për marrëveshje. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button