Ben Affleck: Inteligjenca Artificiale s’mund t’i zëvendësojë njerëzit në krijimin e filmave
Ben Affleck: Inteligjenca Artificiale s'mund t’i zëvendësojë njerëzit në krijimin e filmave
Aktori i njohur, Ben Affleck, ka thënë se filmat e Hollywoodit nuk do të mund të krijohen nga inteligjenca artificiale (AI), siç krijohen nga njeriu.
“Nëse gjithçka do të mund të zëvendësohet nga AI-ja, filmat do të jenë të fundit”, ka thënë ai në samitin “Delivering Alpha 2024”, të CNBC-së, raporton Fox News.
Affleck e përshkruan AI-në si një “zanatli” që është shumë e aftë të kopjojë dhe imitojë teknikë dhe stil nga gjithçka çka ka parë. Sipas tij, AI-ja mund të krijojë vepra që duken si të krijuara nga njeriu, por nuk është në gjendje të krijojë diçka krejtësisht të re ose origjinale.
“AI mund të shkruajë vargje imituese që tingëllojnë si të Shakespearit, por nuk mund të shkruajë Shakespearen”, ka thënë ai.
Ky është një dallim i rëndësishëm, sepse, sipas Affleck, AI është mjet që mund të prodhojë diçka duke ndjekur modelet ekzistuese, por nuk ka ndjenjën e veçantë që e bën artin të ndjehet “i vërtetë”.
Një aspekt që Affleck e sheh si pozitiv është përdorimi i AI-së për të ulur kostot e prodhimit dhe për të hapur mundësi për krijues të rinj. Ai mendon se AI-ja mund të zëvendësojë disa nga detyrat më teknike dhe të lodhshme në prodhimin e filmit, duke bërë që prodhimi të bëhet më i përballueshëm për individët që duan të krijojnë filma të mirë.
“AI-ja do të bëjë që aspektet më të mundimshme dhe më të kushtueshme të krijimit të filmit të bëhen më të lira”, ka thënë Affleck duke shtuar se kjo gjë mund të hapë mundësi për më shumë zëra të ndryshëm dhe ide të reja në industri.Aktori gjithashtu ka sugjeruar se AI-ja mund të krijojë mundësi të reja për industrinë, duke sjellë një formë të re të konsumit të medias. Ai sheh mundësinë që përdoruesit të krijojnë episode të personalizuara të serialeve, duke përdorur teknologjinë AI.
“Ndoshta do të mund të paguash 30 dollarë për teknologjinë që të krijosh episodin tënd të “Succession'”, ka thënë ai dhe ka shtuar se kjo gjë mund të krijojë një rrjedhë të re të të ardhurave për industrinë e filmave dhe serive televizive, duke zëvendësuar modelet tradicionale si shitja e DVD-ve.
Në anën tjetër, Affleck është i vetëdijshëm për ndikimin negativ që AI-ja mund të ketë në disa industri, si p.sh., industrinë e efektet vizuale (VFX), ku AI mund të ulë ndjeshëm kostot dhe të ndihmojë që proceset të bëhen më të shpejta. Kjo do të çonte në humbjen e disa vendeve të punës në këtë sektor.
“Nuk do të doja të isha në biznesin e efektet vizuale, ata janë në rrezik, sepse ajo që ka kushtuar shumë tani do të kushtojë shumë më pak”, ka thënë tutje ylli.
Një nga argumentet më të forta të Affleck ishte se AI-ja do të mund të bëjë shumë gjëra, por nuk do të mund të krijojë art të vërtetë.
“Zanatliu di të punojë, arti di të ndalet”, ka thënë aktori.
Ai beson se ndalimi i krijimit të diçkaje, është një proces që kërkon një ndjenjë të veçantë të shijes dhe gjykimit që AI nuk mund ta imitojë.
Komentet e Affleck shpejt u shpërndanë dhe ngjallën një sërë reagimesh.
Disa njerëz e lavdëruan për qartësinë e mendimeve të tij, duke e cilësuar atë si një mendimtar të thellë. “Nuk prisja që Ben Affleck të kishte shpjegimin më të saktë dhe realist për mënyrën se si do të ndikojë AI në industrinë e filmit”, ka shkruar një person.
Ndërsa disa të tjerë ishin më skeptikë, duke thënë se AI-ja do të evoluojë kaq shpejt sa do të mund të zëvendësonte krijimin njerëzor të filmave dhe lojërave.