Besimi mohon të ketë kërcënuar të punësuarit në dikasterin e tij

Besimi mohon të ketë kërcënuar të punësuarit në dikasterin e tij

Gazetar: Adnan Qaili

Ministri i Financave pasi e tërhoqi rritjen e pagave prej 30%, mohoi të ketë bërë kërcënime për shprehje të revoltës ndaj të punësuarve të tij. Fatmir Besimi tha se dy ditë më parë sa ishte në seancë të Qeverisë mori lajmin se gjithë të punësuarit kishin dalë nga zyrat para ministrisë për paralajmëruar mosbindje, por ai sot ka shpjeguar, se i ka thirrur në bisedë shefat e departamenteve për t’i informuar për ndryshimet.

“Hyni, pyesni këdo a janë të frikësuar, lirshëm! Nuk ka asnjë kërcënim, përkundrazi ajo ide që duhej ta prezantoja dhe e mbrojnë të gjithë kolegët ministra që më të drejtë pyesin, ishte rritja pagave këtu, që nuk ishte me kërkesë të punësuarve, absolutisht. Presioni ishte nga të punësuarit që lanë punën e dolën”, tha Fatmir Besimi, Ministër i Financave.

Besimi sqaroi se paratë e pashfrytëzuara në buxhet janë të destinuara pikërisht për rritjen e pagave dhe se ku do të përfundojnë mund të vendosë vetëm Kuvendi. Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Buxhetin ende nuk është para deputetëve, ndërsa opozita tashmë ka bërë të ditur se nuk do të mbështesë rritjen e pagave, sidomos në Ministrinë e Financave, sepse duhet të ketë paga më të larta për gjithë punonjësit.

“Ideja ishte që në kuadër të ligjit për buxhete sepse përmes saj mund të jepej ajo mundësi. Në aspektin juridik kur duhej të zbatohej, përllogaritëm se mund të paguhej, por kishte reagime të ndryshme, andaj lash hapësirë, në vend të paguaj dhe pastaj t’ju marr mbrapsht punëtorëve, më mirë të konstatohet çfarë është ligjore. Ajo që ju takon secili do ta merr, nuk ka asnjë intencë se dikujt i merret e drejta e caktuar”, deklaroi Fatmir Besimi, Ministër i Financave.

I pyetur nga Alsat, ministri Besimi devijoi përgjigjen për ngritjen e padisë penale nga Sindikata. Por, nga SPOGJ thonë se as punonjësve të Byrosë prej vitesh nuk u është rritur fare paga dhe as shtesat e pagave të parashikuara për ministritë vitin e kaluar. Pakënaqësi, sipas tyre, për gjendjen e pagave ka edhe në Byronë e Prokurimit Publik, e cila gjithashtu është organ në kuadër të Ministrisë së Financave.

“Pse lejohet të dobësohet ky institucion i rëndësishëm kur e dimë se më shumë se 1 miliard euro para publike shpenzohen në vit përmes sistemit të prokurimit publik? Ligji i jep Byrosë kompetenca të shumta kontrolli, por edhe rreziku është i lartë për ekzistim të korrupsionit! Në çfarë mënyre puna e Byrosë është më pak komplekse ose më pak e përgjegjshme se aktorët e tjerë në menaxhimin e financave publike?”, thonë nga Sindikata e SPOGJ-it.

Byroja e prokurimeve hapi skriningun dypalësh të vendit me Komisionin Evropian dhe është mbajtëse e një kapitulli të veçantë të fondacioneve dhe punonjësit morën vlerësime për efikasitetin dhe efektivitetin me të cilin realizuan këto aktivitete kyçe. Dhe ky institucion përballet me të njëjtat rreziqe të daljes së stafit profesional dhe me përvojë tashmë që vendi ka hyrë në proceset e integrimit evropian. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button