Biden: Putini po përpiqet të rikthejë Bashkimin Sovjetik!
Sulmin rus ndaj Ukrainës, presidenti amerikan Joe Biden i cilëson si një përpjekje të presidentin rus Vladimir Putin për të rikthyer Bashkimin Sovjetik.
“Nuk e kam nënvlerësuar presidentin rus. Ai po bën përpjekje për të rikthyer Bashkimin Sovjetik”, tha Biden për mediat.
Biden: Nuk kam plan që të bisedoj me Putinin
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë, pasi kjo e fundit nisi sulm ushtarak ndaj Ukrainës.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, gjatë një adresimi nga Shtëpia e Bardhë, bëri të ditur më 24 shkurt se ka autorizuar sanksione të reja ndaj Rusisë.
Sipas Biden, sanksionet përfshijnë banka ruse të cilat do të hiqen nga sistemi financiar amerikan.
“Kjo nënkupton që çdo aset që ato kanë në SHBA, do të ngrihen”, tha ai.
Biden po ashtu tha se sanksionet e reja përfshijnë edhe eksportet, oligarkët dhe sektorin e teknologjisë.
Biden tha se homologu i tij rus, Vladimir Putin zgjodhi luftën në vend të diplomacisë dhe shtoi se nuk ka plane që të bisedojë me të.
Ky rund sanksionesh amerikane vjen dy ditë pasi SHBA-ja vendosi sanksionet e para ndaj Rusisë.
Më 24 shkurt, Rusia nisi një aksion ushtarak ndaj Ukrainës. Agresioni rus u dënua nga shtete në mbarë botën, ndërkaq, Bashkimi Evropian po ashtu ka paralajmëruar se do të vendosë sanksione të ashpra ndaj Moskës.








