Britania pritet të përcaktojë grupin rus Wagner si organizatë terroriste

Britania pritet të përcaktojë grupin rus Wagner si organizatë terroriste

Britania po përgatitet të përcaktojë grupin Wagner, një ushtri private ruse që është thellësisht e përfshirë në pushtimin e Ukrainës – si një organizatë terroriste.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po debatojnë për një masë të ngjashme. Kjo do ta vendoste grupin Wagner në të njëjtën kategori si Shteti Islamik dhe Al-Kaida. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton nga Londra.

Grupi Wagner në Rusi – një ushtri private – është duke drejtuar pjesën më të madhe të luftimeve për qytetin ukrainas Bakhmut. Shumë prej mercenarëve të saj janë rekrutuar nga burgjet ruse.

Grupi Wagner është fajësuar për mizoritë e shumta në Ukrainë: torturimin dhe vrasjen e robërve të luftës, si dhe të civilëve, përfshirë fëmijë – akuza që grupi i mohon.

 

 

Anëtarët e tij – përfshirë drejtuesin Yevgeny Prigozhin – janë tashmë subjekt i sanksioneve amerikane, të Bashkimit Evropian dhe Britanisë.

Wagner-i është i lidhur ngushtë me shtetin rus. Grupi hapi këtë qendër të teknologjisë ushtarake në Shën Petersburg vitin e kaluar. Sipas gazetës ‘Times’ të Londrës, Britania ka ngritur një çështje ligjore për ta cilësuar grupin Wagner, një organizatë terroriste.

Anëtarësimi ose promovimi i grupit Wagner, apo edhe shfaqja e logos së tij, do të përbënte një vepër penale.

“Kjo mund të pengojë kompanitë të bëjnë biznes me Wagner-in. Por nuk është e sigurtë se çfarë efekti do të ketë, sepse grupi i merr burimet financiare, jo aq shumë nga Europa, por nga aktivitetet ilegale që kryen në Afrikë. Pra, cilat mund të ishin përfitimet? Ndoshta është më tepër një akt simbolik”, thotë Tanya Mehra me Qendrën Ndërkombëtare Kundër Terrorizmit.

Mercenarët e Wagner-it kanë vepruar në Siri dhe disa vende afrikane, duke përfshirë Libinë, Republikën Qendrore të Afrikës, Malin dhe Sudanin – duke u ofruar zakonisht shërbime sigurie qeverive në këmbim të qasjes tek pasuritë minerale dhe mbështetjes për synimet gjeopolitike të Rusisë. Luftëtarët e Wagner-it akuzohen për abuzime të shumta të të drejtave të njeriut.

Në mars të vitit 2022, rreth 300 civilë gjetën vdekjen në një sulm në qytetin Moura të Malit, që në atë kohë kontrollohej nga forcat xhihadiste. Duke folur në atë kohë, dëshmitarët akuzuan forcat vendase dhe luftëtarët rusë të grupit Wagner për ekzekutime në masë – gjë që Mali e mohoi.

“Ushtria e Malit kishte shumë ushtarë të bardhë; që ishin rusë. Ata nuk e kuptonin njëri-tjetrin. Morën 15 deri në 20 veta; i rreshtuan rreth 100 metra larg nesh, i gjunjëzuan dhe i qëlluan”, thotë Amadou shitës në qytetin Moura.

Parlamenti francez votoi të martën për përcaktimin e grupit Wagner si një entitet terrorist në një rezolutë jodetyruese, duke shtuar presionin ndaj Bashkimit Evropian për të ndërmarrë veprime.

Në Uashington, një grup ligjvënësish dypartiakë po bën presion që Shtetet e Bashkuara ta klasifikojnë grupin Wagner si një organizatë të huaj terroriste. Prokurori i Përgjithshëm amerikan tha në mars se nuk do ta kundërshtonte masën.

“Nëse ata do të përcaktoheshin si grup terrorist në Shtetet e Bashkuara, do të kishte pasoja më të mëdha – pasi kushdo që do t’i ofronte mbështetje materiale grupit Wagner mund të përballej gjithashtu me ndjekje penale. Pra, kjo do të thotë se shtetet, ose zyrtarë të caktuar qeveritarë nga shtetet afrikane, të cilët do të angazhoheshin me Wagner-in, mund të përballen me ndjekje penale“, thotë Tanya Mehra me Qendrën Ndërkombëtare Kundër Terrrozmit.

Raporti i gazetës ‘Times’ thotë se Britania mund ta klasifikojë Wagner-in si një grup terrorist brenda disa javësh. Qeveria britanike nuk pranoi të komentojë.

LEXO EDHE:

Back to top button