Bytyqi: 90% e të papunëve janë analfabetë funksional ose të shkolluar jofunksional

Bytyqi: 90% e të papunëve janë analfabetë funksional ose të shkolluar jofunksional

GAZETAR: ARDIT RAMADANI

Përderisa mbi 100 mijë persona në vend kërkojnë punë përmes Agjencisë për Punësim, shumë biznese po mbyllen për shkak të mungesës së punëtorëve. E nëse sipas zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi kjo ndodhë sepse shumica e punëkërkuesve janë analfabet ose të shkolluar jofunksional, studentët dhe ekspertët flasin ndryshe, shkruan Alsat.

Abedin Ismaili është student në studime pasdiplomike, ai për Alsat potencoi që punët që i janë ofruar deri tani janë nënçmuese.

“Për një pagë 300 euro apo 18 mijë denarë do të kishte pranuar të punojë një i ri vetëm nëse ka ndonjë ndalesë për të hyrë në ndonjë nga shtetet evropiane, përndryshe këtë mungesë të kushteve që nuk ofrohen në këtë vend të rinjtë do t’i kërkojnë në vende të cilat i ofrojnë”, deklaroi Abedin Ismaili, student.

Ai shtoi që kushtet e punës që ofrohen në Maqedoninë e Veriut iu pamundësojnë të rinjve të realizojnë qëllimet e tyre në jetë.

“Paga minimale minimizon mundësitë e realizimit të objektivave të të rinjve, prandaj pse të rinjtë duhet të qëndrojnë këtu dhe të pranojnë një pagë minimale e t’i minimizojnë realizimin e dëshirave apo qëllimeve të tyre në jetë, pse të rinjtë duhet të bëhen viktimë apo kurban i bizneseve apo punëdhënësve të ndryshëm”, u shpreh Abedin Ismaili, student.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian theksohet se papunësia te të rinjtë po ulet ngadalë, respektivisht për 4% në krahasim me një vit më parë, por, kjo sipas Ismailit, nuk është sepse të rinjtë janë punësuar por sepse nuk gjenden më në vend.

“Prandaj, edhe ne shohim që në të gjitha qytetet janë të vendosura letra nëpër dyert apo dritaret e bizneseve, dhe në këto letra përpos që ka shumë gabime drejtshkrimore, këto letra janë të vendosura edhe në kohë të gabuar. Pikërisht në kohën kur këta kërkojnë punëtorë, punëtorët janë të punësuar por larg vendit të tyre”, tha Abedin Ismaili, student.

Sipas profesorit universitar Argëtim Saliu, në përputhje me rritjen e çmimeve duhet të rritet edhe oferta e punëdhënësve, përndryshe të mbyllin bizneset e tyre.

”Oferta është tejet e vogël, edhe e dobët, pak a shumë ofertat janë të ngjashme me pagën minimale, 300 deri në 350 euro dhe të rinjtë nuk joshën për sa i përket kushteve, kritereve dhe pagës të cilën e ofrojnë si pagë mujore. Nuk është fare motivuese që ata të aplikojnë dhe të konkurrojnë në këto vende të lira pune. Ne e shohim tërë kohës në qoftë se e bëjmë analiza, në Agjencinë për Punësim ne tërë kohën kemi konkurse të hapura dhe vende të lira pune por jo të punësuarit nuk janë fare të interesuar që të aplikojnë në këto vende pune”, tha Argëtim Saliu, profesor universitar.

Pak ditë më parë zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi tha që se mbi 90 për qind e të papunëve janë analfabetë funksional ose të shkolluar jofunksional./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button