Çfarë është varianti i ri i COVID-19 i identifikuar në Afrikën e Jugut?

Autoritetet në disa pjesë të botës kanë reaguar me alarm ndaj variantit të ri të koronavirusit të identifikuar në Afrikën e Jugut, pasi Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe India janë në mesin e vendeve që kanë bërë të ditura kufizime në udhëtime, teksa shkencëtarët tentojnë të kuptojnë nëse ky mutacion u reziston vaksinave.

Kur dhe ku është identifikuar ky variant?
Shkencëtarët kanë identifikuar një numër të vogël të rasteve me variantin B.1.1.529 më 23 nëntor, në disa mostra të marra më 14-16 nëntor.

Më 24 nëntor, shkencëtarët e Afrikës së Jugut kanë informuar qeverinë se janë të shqetësuar nga ajo që kanë parë dhe i kanë kërkuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që të formojë një grup teknik për të vlerësuar evoliumin e virusit.
Ky shtet ka identifikuar rreth 100 raste me këtë variant, kryesisht në provincën Gauteng.

A është identifikuar diçka tjetër?
Shkencëtarët e Afrikës së Jugut kanë thënë se shenjat e hershme nga laboratorët tregojnë se virusi është përhapur me shpejtësi në Gauteng dhe mund të jetë prezent edhe në tetë provinca tjera.

Shkalla ditore e infektimit është pothuajse dyfishuar më 25 nëntor, duke shkuar në 2,465.

Instituti për Sëmundje Ngjitëse në Afrikën e Jugut nuk ia ka atribuuar rritjen këtij varianti, ndonëse shkencëtarët lokalë dyshojnë se kjo është arsyeja.

Botsvana ka identifikuar katër raste, të gjithë të huaj që kanë arritur atje me mision diplomatik dhe tani janë larguar nga shteti.

Në Hong Kong është raportuar një rast, një tjetër në Afrikën e Jugut dhe të tjera raste në Izrael, që janë kthyer në Malavi.
Në testet PCR, ky variant dallohet lehtë nga ai Delta, që deri më tani ka qenë variant dominues në botë.

Pse shkencëtarët janë të shqetësuar?
Të gjitha viruset – duke pëfshirë koronavirusin – ndryshojnë pas një kohe. Shumica e ndryshimeve kanë pak ose aspak ndikim në vetitë e tyre.

Megjithatë, disa ndryshime mund të ndikojnë në atë se sa lehtë përhapet një virus, sa i ashpër është dhe sa ndikojnë vaksinat ndaj tij.
Mirëpo, varianti i ri është thënë se ka më shumë se 30 mutacione në proteinën që viruset e shfrytëzojnë për të hyrë në qelizat e njeriut, kanë thënë zyrtarët shëndetësorë në Mbretërinë e Bashkuar.

Numri i mutacioneve është dyfish më i madh në krahasim me ato që ka Delta, çka e bën këtë virus shumë më ndryshe prej virusit origjinal, për të cilin është raportuar fillimisht në Vuhan të Kinës dhe për të cilin janë krijuar vaksina.

Shkencëtarët e Afrikës së Jugut kanë thënë se disa mutacione janë të lidhura me rezistencë ndaj antitrupave neutralizues dhe përhapje më të madhe, mirëpo të tjerët kanë thënë se nuk i kanë të qarta ndikimet e mundshme, andaj ende nuk ka një fjalë të fundit.

Këshilltarja e Agjencisë për Siguri Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, Susan Hopkins, ka thënë për radion e transmetuesit britanik, BBC, se disa mutacione nuk janë parë më herët, andaj nuk dihet cili mund të jetë efekti i tyre.

Për këtë arsye, ky po konsiderohet si varianti më kompleks që është parë deri tani.

LEXO EDHE:

Back to top button