Dallgët deri në 2.5 metra, pezullohet lundrimi për tragetin e linjës Vlorë-Itali
Dallgët deri në 2.5 metra, pezullohet lundrimi për tragetin e linjës Vlorë-Itali

Kapiteneria e portit detar të Vlorës ka vendosur që të pezullojë edhe lundrimin detar edhe për tragetin e linjës me Italinë. Trageti i cili nuk do të udhëtojë në drejtim të Brindisit dhe anasjelltas deri ditën e dielë.
Duke filluar nga ora 19:00 e mbrëmjes të së enjtes është marrë ky vendim. Një vendim i marrë mbi bazën e parashikimit të kushteve hidrometeorologjike të cilat konstatonin shtim të shpejtësisë dhe intensitetit të erës bregdetare. Era e fortë bregdetare shkaktonte në det të hapur një forcë 9 ballë, por në shumë orë të ditës edhe më lartë se aq duke e bërë të pamundur lundrimin detar të tragetit me linjën e Italisë.
Ndërkohë për tri ditë me radhë do të jetë i pezulluar edhe lundrimi detar për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit. Duke nisur prej orëve të para të mëngjesit të së enjtes, mjetet e peshkimit dhe ato lundruese nuk lejohen të dalin në det. Shkak për këtë masë është bërë era e fortë bregdetare, me drejtim Jug-Juglindje, e cila shkakton dallgë të larta si në det të hapur ashtu edhe në gji.
Era bregdetare në qytetin e Vlorës shkon deri në 15 metra për sekondë në gji dhe 25 metra për sekondë në det të hapur. Si pasojë e kësaj ere, në det të hapur dallgët shkojnë deri në 2.5 metra, ndërsa në gji arrijnë lartësinë 1.5 metra, duke e bërë të pamundur lundrimin e mjeteve të peshkimit dhe atyre të vogla lundruese. Era me drejtim Jug-Juglindje, duke shkaktuar forcën e detit në gji deri në 6 ballë. Mjetet e vogla të peshkimit dhe ato lundruese nuk janë lejuar të dalin në det duke filluar nga ora 12:00 e mesditës të ditës së premte dhe do të vazhdojë i pezulluar lundrimi deri të dielën.
Administratorët e mjeteve të peshkimit dhe atyre lundruese janë lajmëruar për situatën dhe kanë nisur të sigurojnë mjetet e tyre në bregdet për të shmangur përplasjet, të cilat mund të shkaktojnë dëmtime.
Situata hidrometeorologjike pritet të përmirësohet duke nisur nga data 16 mars, pas orës 08:00 të mëngjesit, të së dielës, moment kur mjetet e peshkimit dhe ato lundruese do të lejohen të dalin sërish në det. Kohë kur do të rifillojnë edhe lundrimet e tragetit të linjës nga Brindisi në Vlorë për t’u nisur sërish në drejtim të Italisë.
Vlen të theksohet se momentalisht veç një traget nga dy të tillë operon në linjën Vlorë-Brindisi, pasi një vazhdon i bllokuar në Itali për shkaqe teknike.