Daneva në krye të Këshillit Gjyqësor, i shpalli luftë korrupsionit

Daneva në krye të Këshillit Gjyqësor, i shpalli luftë korrupsionit

Gazetar: Ardit Ramadani

Me dhjetë vota për dhe një kundër Këshilli Gjyqësor zgjodhi Vesna Danevën për të udhëhequr me këtë institucion pasi disa ditë më herët nga ky funksion dha dorëheqja Pavlina Cërvenkovska. Vetëm disa minuta pas zgjedhjes, Daneva i shpalli luftë korrupsionit nga ana e gjykatësve dhe zgjedhjes së gjyqtarëve përmes listave të porositura.

“Këtu nuk do të ketë falje, ai gjykatës i cili do të jetë i korruptuar, bazuar në fakte dhe dëshmi të vërtetuara, për atë dera do të jetë e hapur për të dalë nga gjyqësori. Për gjyqtarët e korruptuar nuk do të ketë shans të dytë, nuk do të ketë sanksion të butë, thjeshtë do t’i thuhet jo, ti nuk e meriton të jesh në gjyqësor”, deklaroi Vesna Daneva, kryetare e Këshillit Gjyqësor.

Një ndër arsyet e dorëheqjes së shefes paraprake nga ky funksion, Pavlina Cërvenkovska, ishte sepse sipas saj elitat e biznesit dhe gjyqësorit nuk e kanë lejuar të funksionojë normalisht. Daneva tha se nga Cërvenkovska për herë të parë e ka dëgjuar këtë.

“Këtë të elitave të biznesit dhe gjykatave unë për herë të parë e dëgjova në deklaratën e anëtares së Këshillit Gjyqësor, Pavlina Cërvenkovska, nuk e di se bazuar në cilat fakte dhe dëshmi ajo e ka thënë këtë, për mua kjo nuk është e njohur, këto pyetje do të duhet asaj drejtpërdrejt të ia drejtoni. Megjithatë, ndoshta bëhet fjalë për perceptimin e saj personal, nuk e di”, u shpreh Vesna Daneva, kryetare e Këshillit Gjyqësor.

Daneva premtoi se tash e tutje gjyqtarët nuk do të votohen sipas listave të porositura.

“Para nesh do të jetë ligji, integriteti i gjykatësve dhe unë personalisht, nuk mund të premtoj për anëtarët tjerë, megjithatë jam e bindur se nuk do të lejojnë asnjë lloj liste”, tha Vesna Daneva, kryetare e Këshillit Gjyqësor.

Kundër Danevës votoi gjyqtarja Loreta Georgieva nga Strumnica ndërkaq për shkak të mundësisë për konflikt të interesit, nga votimi u tërhoq edhe Gerasimoski i cili në fillim të seancës dha dorëheqje të parevokueshme nga pozita e ushtruesit të detyrës drejtor i Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publik për shkak të reagimeve të Komisionit për Antikorrupsion.

Ndryshe, në opinionin publik qarkulluan fotografi të Danevës me njerëz të afërm të LSDM-së, ajo gjithashtu ka punuar në kabinetin e Buçkovskit përderisa ishte kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes. E pyetur se a ka pasur ndikime politike në rrjedhën e karrierës së saj, Daneva mohoi kategorikisht këtë, duke shtuar se fotografitë e saja me zyrtarë të LSDM-së nuk e bëjnë atë domosdo anëtare apo simpatizantë të kësaj partie politike. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button