Debati në Kuvend për korridoret, nuk pranohet asnjë amendament

Debati në Kuvend për korridoret, nuk pranohet asnjë amendament

Gazetare: Fatlume Dervishi

Pushteti do t’i japë gjashtë muaj në total investitorit dhe realizuesit të Korridorit 8 dhe 10D për të shfrytëzuar lëndët e para minerale, edhe pas përfundimit të projektit. Kjo është tre muaj më shumë se sa afati aktual që është në fuqi. Ndryshimet do të bëhen përmes ligjit për lëndët e para minerale për të cilin vazhdoi edhe sot debati në Kuvend.

“Kur të ndërtohet autostrada ose një seksion i caktuar, nuk e di si është marrëveshja sepse nuk e kemi parë, për çfarë i duhen tre muaj plotësues investitorit dhe realizuesit t’i ketë këto lëndë të para minerale? Nuk bëhet fjalë vetëm për një vend të zbuluar me lëndë të para minerale. Në këtë rrugë mund të ketë shumë të tilla, nuk e dimë sa janë sepse nuk janë definuar askund. D.m.th. investitori mund të gërmojë ku të dojë dhe të marrë licenca për ta bërë këtë”, tha Zdravko Trajanov, VMRO-DPMNE.

Opozita u përpoq ta ndryshojë këtë propozim me amendament. Një amendament të ngjashëm kishte edhe deputeti nga partitë e koalicionit të shumicës Lupço Ballkovski. Të dy u hodhën poshtë. Shumica vlerëson se duhet të krijohen të gjitha kushtet për një punë më të shpejtë edhe efikase.

“Gjithë këtë ne si deputetë e bëjmë që të jemi më efikas dhe në një mënyrë ta ndihmojmë qeverinë sepse në të kaluarën realisht kemi pasur shumë probleme me realizimin e projekteve të tilla të cilat, do ta theksoj se kanë qenë shumë pak efikase dhe na kanë marrë shumë kohë për realizim”, u shpreh Rina Ajdari, deputete e BDI-së.

Opozita nuk beson në qëllimet e mira të pushtetit pa e parë marrëveshjen mes shtetit dhe Behtel Enkës për ndërtimin e autostradave.

“Kjo nuk është punë e Zotit që t’u besojmë. Ligji juaj special nuk është as Bibla as Kurani. Unë kam shumë dilema edhe pse nuk jam ekonomist dhe kam pritur që edhe ju t’i ndani dilemat me ne dhe të intervenojmë aq sa mundemi në anulimin e tyre”, u shpreh Gordana Siljanovska Davkova, VMRO-DPMNE.

“Nëse këto tetë ligje që janë për momentin nuk miratohen nuk është fundi i botës. Pra, ndërmarrja Behtel Enka në 22 të këtij muaji do të fillojë me ndërtimin e Korridorit 8 mirëpo do të prolongohen punët dhe ndërtimi i autostradës dhe segmenteve do të kushtojë më shtrenjtë”, tha Bedri Fazli, BDI.

Gjithsej në procedurë janë tetë ligje të cilat parashikojnë lehtësimin e procedurave administrative për realizuesin e autostradave të Korridoreve 8 dhe 10D. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button