“Demokratët e përdorin krizën me Covid-19 për t’i vjedhur zgjedhjet” – ALSAT-M


Alsat
25.08.2020 09:04
Presidenti amerikan Donald Tramp, mbrëmë ka paralajmëruar republikanët se zgjedhjet e nëntorit mund t’u jenë të “vjedhura” duke i akuzuar demokratët për “përdorimin e krizës me Covid-19 për t’i vjedhur zgjedhjet”.
Trump e tha këtë ditën e parë të Konventës Kombëtare Republikane në Sharllot, Karolina Veriut, pasi përsëri u nominua për kandidat republikan në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, ku do ta ketë kundërshtar demokratin, Joe Biden.
Presidenti amerikan në konventën virtuale ka përsëritur pretendimin e tij se votimi përmes postës, i cili pritet të luajë një rol të madh në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të SHBA-së për shkak të frikës së shumë amerikanëve që të shkonin në votime në mes të epidemisë së koronavirusit, do të çojë në mashtrime.
Ekspertë të pavarur të sigurisë për mashtrimin e zgjedhjeve thonë se mashtrimi i votuesve është jashtëzakonisht i rrallë në SHBA.
“E vetmja mënyrë që të mund të fitojnë në këto zgjedhje është nëse ato janë zgjedhje false. Ne do të fitojmë”, tha ai.
Në fjalimin e tij, Trump u përqendrua edhe në mesazhin e “ligjit dhe rendit” në përgjigje të protestave të përhapura në të gjithë vendin pas vrasjes së Xhorxh Flojdit nga ana e policisë në Mineapolis. Ai gjithashtu i inkurajoi shkollat dhe kompanitë që të hapen përkundër pandemisë së koronavirusit.
Konventa Kombëtare Republikane katër-ditore filloi mbrëmë, ndërsa Trump duhet të mbajë fjalim çdo natë.