Dialogu strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë fillon nesër në Uashington

Dialogu strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë fillon nesër në Uashington

Gazetar: Lluka Andreev

Mbrojtja, siguria, prosperiteti ekonomik dhe forcimi i demokracisë do të jenë temat kryesore të takimit të parë të Dialogut Strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë, që fillon të enjten në Uashington. Ambasadorja e SHBA-së në vend, Kejt Meri Bërns, në emisionin “200” në Alsat, tha se do të hidhen në tavolinë një sërë idesh se si të përmirësohet bashkëpunimi mes dy vendeve, pa dhënë më shumë detaje.

E pyetur nëse fillimi i një dialogu të tillë mund të shihet si zëvendësim për dështimin e mundshëm të integrimit evropian, ajo tha se Uashingtoni pret që Unioni të zgjerohet me Ballkanin Perëndimor.

“Ky është një evolucion i partneritetit tonë natyror, i cili lëviz, rritet dhe merr aspekte dhe ambicie të reja, por është plotësisht në përputhje me vizionin dhe synimin e Maqedonisë së Veriut për të qenë anëtare e plotë e BE-së, e integruar plotësisht në të gjitha Institucionet euroatlantike dhe shpresoj se do të ketë një rol në formësimin e së ardhmes së Evropës. Këto procese janë plotësuese sepse qëllimet janë të njëjta. Ideja e Dialogut Strategjik është gjetja e mënyrave të tjera për të zhvilluar bisedën, e cila mund të prodhojë ide të reja dhe energji të re”, tha Kejt Meri Bërns – Ambasadore e SHBA-së.

Sipas ish-ambasadorit në Uashington, Vasko Naumovski, Dialogu Strategjik nuk mund të jetë zëvendësim për integrimet evropiane dhe shton se konsultimet e tilla politike të nivelit të lartë janë vetëm një mënyrë shtesë për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë në shumë fusha.

“Përveç kësaj, sfidat aktuale me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës e imponojnë nevojën për ta forcuar Partneritetin Transatlantik dhe partneritetin dypalësh të Shteteve të Bashkuara me anëtarët e NATO-s në rajon”, tha Vasko Naumovski – ish ambasador në SHBA.

Delegacioni zyrtar në Uashington udhëhiqet nga ministri i Jashtëm Bujar Osmani, i shoqëruar nga ministrat e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska.

Në delegacion është edhe sekretari aktual i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Zoran Popov, emri i të cilit përmendet si ambasador i ri në SHBA. Nikoqir nga pala amerikane janë Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane Karen Donfried, e cila së fundmi e vizitoi Shkupin./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button