Dimovski largohet pa dhënë përgjegjësi për Onishchenkon, ASK-ja prej nesër me drejtor të ri

Dimovski largohet pa dhënë përgjegjësi për Onishchenkon, ASK-ja prej nesër me drejtor të ri

Gazetar: Adrian Kerimi

“Nesër do të ketë drejtor të ri”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Kështu kryeministri Dimitar Kovaçevski paralajmëroi fundin e epokës së Viktor Dimovskit apo ndryshe i njohur si “i paprekshmi” në krye të sigurisë kombëtare. Nga 14 dhjetori, Agjencia për Siguri Kombëtare do të ketë drejtor të ri, ndërsa Dimovski bën gati valixhet për ambasador në Francë. Ndër emrat e përfolur si pasardhës të Dimovskit ndonëse organi ekzekutiv nuk i thotë zyrtarisht, mësohet se janë: Zoran Mackinovski, Zarko Milloshovski dhe Oliver Llukarevski. Se cili do të kalojë filtrat në Qeveri për t’i besuar sigurinë kombëtare, do të mësohet të mërkurën, pasi paraprakisht Qeveria nuk ka dhënë aspak informacion nga procedura e përzgjedhjes së kandidatëve filtrat nëpër të cilat kanë kaluar ata.

Viktor Dimovski përfundon mandatin si drejtor duke mos dhënë llogari para Komisionit për mbikëqyrjen e punës së ASK-së dhe Agjencisë së Zbulimit mbi skandalin me shtetësinë oligarkut pro rus Oleksander Onishçenko. Mbledhja e trupit punues në Kuvend u thirr për të enjten, por deri atëherë Dimovski do të jetë pa mandat dhe nuk mund të paraqitet në cilësinë e drejtorit. Kryetari i komisionit, Lupço Prenxhov tha se përgjegjësi për rastin Onishçenko patjetër të ketë.

“Konsideroj se është rast me rëndësi të veçantë. Për rastin Onishçenko përgjegjësi patjetër duhet të ketë dhe niveli i saj duhet të jetë i barabartë më dëmin që i është bërë Maqedonisë dhe qytetarëve të saj”, deklaroi Ljupço Prenxhov, Kryetar i Komisionit për mbikëqyrjen e punës së ASK-së dhe Agjencisë së Zbulimit.

Përgjegjësia ose jo mbi shtetësinë e konfiskuar tashmë të Onishçenkos mund ta lë Dimovskin edhe pa pozitën e ambasadorit, në rast se konstatohet përgjegjësia personale e tij në rastin me “spiunin rus” ashtu siç e cilësoi Onishçenkon presidenti Stevo Pendarovski javën e kaluar në “Rruga drejt”. E gjitha varet nga Qeveria dhe dy raportet, ai i ASK-së mbi procedurën dhe raporti i MPB për hetimin. Nëse Dimovski nuk ka përgjegjësi, ai do të shkojë ambasador në Paris.

Dimovski po largohet nga ASK-ja në krye të së cilës erdhi në vitin 2019. Po lë pas vetes mijëra kërkesa për shtetësi të panënshkruara, shumë institucione duke çaluar në procedura si pasojë e mungesës së certifikatave të sigurisë për të punësuarit dhe mbi gjitha, po e lë ASK-në pa objektin e ri i cili duhej të pavarësonte këtë institucion nga MPB-ja. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button