Dimovski: Me përgjegjësi pohoj se Mickoski nuk ka qenë objekt i ndonjë aksioni operativ të Agjencisë – Mickoski thotë se ka qenë!
Dimovski: Me përgjegjësi pohoj se Mickoski nuk ka qenë objekt i ndonjë aksioni operativ të Agjencisë
Gazetar: Mihajllo Donev
Ish-drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski, i hodhi poshtë pretendimet se kryeministri aktual, Hristijan Mickoski, ka qenë i përgjuar dhe i ndjekur në mënyrë të paligjshme nga ana e agjencisë gjatë periudhës kur ai ishte lider i opozitës, shkruan Alsat.
Dimovski i bëri thirrje drejtorit aktual, Bojan Hristovski, që menjëherë t’i publikojë dokumentet, në mënyrë që të shihet publikisht nëse dikush ka qenë i përgjuar ose jo.
“Me përgjegjësi pohoj se ai, si lider i atëhershëm i partisë opozitare, në periudhën 2019–2022, nuk ka qenë objekt i ndonjë interesi të veçantë operativ të Agjencisë, nuk ka qenë objekt i ndonjë pune të organizuar operative dhe për rrjedhojë as shënjestër ndaj të cilit janë aplikuar çfarëdo masash operativo-teknike. E ftoj drejtorin e Agjencisë që menjëherë dhe pa vonesë t’i deklasifikojë dokumentet për pretendimet e supozuara për keqpërdorime”, tha Viktor Dimovski, ish-drejtor i ASK-së.
Megjithatë, Dimovski në një status në Facebook konfirmon se në periudhën 2019 deri në vitin 2024 është zhvilluar procedurë për rishqyrtimin e kontrolleve për certifikata të sigurisë edhe për një deputet aktual dhe kjo për shkak të dhënies së një informacioni të klasifikuar.
Ndërkaq, Mickoski sot edhe një herë këmbënguli se ka qenë i ndjekur dhe se për këtë rast do të ketë përgjegjësi.
“Unë personalisht, atëherë si kryetar i partisë më të madhe opozitare, sot si kryeministër, së bashku me një numër të madh gazetarësh, mediash, biznesmenësh dhe figurash publike kemi qenë viktima të sistemit që i ka ndjekur qytetarët e vet. Kjo nuk është sulm vetëm ndaj meje, por ndaj demokracisë, ndaj së drejtës për liri, ndaj themeleve të shtetit. Dua të përcjell një mesazh: nuk do të ketë drejtësi selektive. Do të ketë përgjegjësi. Do të ketë epilog juridik”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.
Lideri opozitar, Venko Filipçe, thotë se nuk duhet të bëhet gjueti shtrigash para kohe.
“Ne në periudhën e kaluar pamë shumë skandale të paralajmëruara me bujë nga disa portale, nga foltorja partiake e VMRO-DPMNE-së, të cilat nuk patën asnjë epilog. T’ju kujtoj: paralajmërime për kinse ryshfet të kryeministrit, pastaj se ishte ndjekur me dronë, më pas se do të kishte destabilizim, e tani sërish ndjekje. Unë personalisht i besoj Viktor Dimovskit, por një gjë është ajo që unë mendoj personalisht, e tjetër gjë ajo që do të tregojnë informacionet, dhe nuk dua të jem avokat i askujt, ashtu siç nuk dua që askush të më bëhet mua avokat në opinion. Le të dalin informacionet, pastaj le të gjykojnë ekspertët dhe publiku”, tha Venko Filipçe, lider i LSDM-së.
Nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit njoftuan se tashmë është hapur lëndë.
“Menjëherë pas marrjes së njoftimeve nga ASK, PTHP-NKON ka hapur lëndë mbi të cilën po veprohet aktivisht në drejtim të shqyrtimit të pretendimeve nga njoftimet. Duke pasur parasysh fshehtësinë e procedurës parahetimore, për momentin nuk mund të ndahen detaje për masat dhe aktivitetet e ndërmarra dhe ato që do të ndërmerren, të cilat prokurori kompetent i zbaton në kuadër të kompetencave të tij”, thonw nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Kohë më parë ASK njoftoi se ka dorëzuar në Prokurori tre njoftime si rezultat i një hetimi të brendshëm, i cili çoi në njohuri për formimin e lëndëve për përpunime operative ndaj, liderit të një partie opozitare dhe një grupi gazetarësh e mediash, që sipas lëndës kishte për qëllim rrëzimin e pushtetit.
Skandali i paralajmëruar për përgjime të paligjshme nuk është i pari në vend, pasi kjo ka ndodhur edhe gjatë kohës kur drejtor i atëhershëm i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim ishte Sasho Mijalkov, dhe kur në pushtet ishte VMRO-DPMNE-ja. Rasti i përgjimeve masive të paligjshme nga viti 2015 përfundoi para gjykatës, megjithatë Mijallkovi nuk përfundoi në burg, pasi lënda e njohur si “Target- Fortesa” ndaj tij u vjetërsua./ Alsat.mk








