Disa komuna do të fitojnë 7.5 milionë franga për përmirësimin e rrjeteve të ujësjellësit

Disa komuna do të fitojnë 7.5 milionë franga për përmirësimin e rrjeteve të ujësjellësit

Gazetare: Melihate Rustemi

Shtatë komuna të vendit do të ndajnë buxhet prej 7.5 milionë franga për të përmirësuar kushtet e rrjeteve për furnizim me ujë dhe jo vetëm. Nga Ministria e Ekologjisë thanë se 6.5 milionë franga janë siguruar si donacion nga Ambasada e Zvicrës ndërsa pjesa tjetër nga dikasteri i Ekologjisë përmes projektit “Ndërmarrjet komunale efikase në Maqedoninë e Veriut”.

“Qëllimet e projektit janë të qarta, modernizim i rrjeteve të furnizimit me ujë, ulje e humbjeve financiare dhe teknike, rritje e efikasitetit energjetik dhe përmirësim i efikasitetit të ndërmarrjeve publike komunale. Të gjitha këto janë elementë kryesorë për infrastrukturë më të qëndrueshme dhe shërbime më cilësore për qytetarët. Përvoja na tregon se përmirësimi i kushteve të jetesës dhe mbrojtja e mjedisit nuk janë të mundura pa decentralizim efektiv dhe ndërmarrje publike lokale të forcuara”, deklaroi Ane Llashkoska, zv ministre e Ekologjisë.

Ambasadorja e Zvicrës, Veronik Ulman kujtoi drejtuesit e komunave se realizimi i projektit është i patjetërsueshëm duke marrë parasysh se sasia e ujit nuk është ajo e viteve më parë.

“Menaxhimi i ujit duhet të trajtohet me shumë kujdes, duhet të ketë një angazhim dhe përgjegjësi të përbashkët, me qëllim që të zvogëlohen humbjet e ujit. Në këto kohë sfiduese për njerëzit dhe mjedisin, për ekonominë, uji nuk duhet të lejohet të shpërdorohet. Ai duhet të trajtohet si një aset i veçantë, si një vlerë e veçantë. Pa ujë, nuk ka jetë”, tha Veronik Ulman, ambasadore Zvicrës.

Komunat do të përfitojnë nga këto fonde në kohën kur kanë nevojë për përmirësimin sidomos të rrjetit të ujësjellësit, për shkak të vjetërsimit të skajshëm gjë që çon në humbjen enorme të sasisë së ujit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button