Disidenti rus paralajmëron mbi qëllimet e Putinit

Disidenti rus paralajmëron mbi qëllimet e Putinit

Disidenti rus Mikhail Khodorkovsky tha se “problemet e brendshme” në Kremlin mund ta detyrojnë Vladimir Putinin në një konfrontim ushtarak me Perëndimin, nëse lufta në Ukrainë përfundon me fitoren ruse.

Biznesmeni ka jetuar në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2015. Ai e bëri pasurinë e tij në vitet ‘90 përmes tregtisë me Forex dhe gjithashtu drejtoi kompaninë e naftës Yukos. Ai ka qenë kritik ndaj Presidentit Putin që kur erdhi në pushtet dhe në vitin 2003 u burgos me akuzat për evazion fiskal dhe mashtrim. Khodorkovsky kaloi 10 vjet në burg, por u fal pak para Lojërave Olimpike Dimërore 2014.

Sipas biznesmenit, kërcënimi i përshkallëzimit të konfliktit me Perëndimin është serioz dhe i dukshëm, veçanërisht nëse Putin ia del në qëllimin e tij për të kapur rajonin e Donbasit: “Hapi i ardhshëm i Kremlinit do të jetë bllokada ajrore e Lituanisë. Ai do të lejojë aviacionin rus të fluturojë drejtpërdrejt midis Rusisë dhe Kaliningradit. Atëherë NATO nuk do të dijë se çfarë të bëjë”.

“Sigurisht, Putini në fund do të humbasë. Nëse fiton tani në Ukrainë, për shkak të problemeve të brendshme, do të nisë një luftë me NATO-n. Dhe përfundimisht ai do ta humbasë atë luftë. Nëse nuk do të kishte pasur kaq shumë viktima, do të kisha thënë se në fakt jam mjaft i lumtur, sepse ai ka nisur një rrugë që do të çojë në vdekjen e tij. Por, kjo fitore specifike në Ukrainë varet tërësisht nga Perëndimi. Nëse Perëndimi dështon tani, mund të përballet më vonë me një front shumë të nxehtë”, shtoi Mikhail Khodorkovsky për “Financial Times”.

Disidenti rus ka një mesazh për oligarkët e tjerë, duke i quajtur ata agjentë të Putinit.

“Roman Abramovich dhe të tjerët që ju i quani oligarkë në Perëndim, unë i shoh si agjentë të Putinit, as më shumë e as më pak. Oligarkët mund të mos kenë ndikim mbi Putinin, por kanë shumë leva në duart e tyre për të ndikuar në opinionin publik dhe politikën në Perëndim. Kjo është arsyeja pse Putini ka interes që t’i përdorë ata si një mjet ndikimi”, shpjegoi Khodorkovsky.

Në lidhje me popullin rus, disidenti u shpreh: “Rusët kanë “Sindromën e Stokholmit”. Unë shoh shenja të brishtësisë së Putinit, në faktin se ai nuk ka shpallur mobilizim të përgjithshëm për luftën në Ukrainë. Nëse do të ishte plotësisht i bindur se shoqëria ruse është e bashkuar, do t’i kishte rekrutuar këta njerëz me kohë”.

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button