Disneyland do të shndërrohet në qendër vaksinimi

Nga vitet ’50 është  pa diskutim udhëtimi i ëndrrave për çdo fëmijë, në Shtetet e Bashkuara dhe kudo në botë, por në këtë fazë pandemie edhe ai që cilësohet si simboli i filmave vizatimore shndërrohet në një “armë” ndaj pandemisë së koronavirusit. Parku i lojërave të Disneyland, në Kaliforni, pritet të shndërrohet në një vend për vaksinimin masiv të popullsisë ndaj koronavirusit, pak a shumë siç ndodh në Shqipëri me stadiumin “Arena Kombëtare”.

Facilitetet që ofron Disneyland do të mundësojnë vaksinimin e mijëra personave, në një shtet si ai i Kalifornisë që mund të cilësohet si vatër e nxehtë e infeksionit pandemik. Sipas autoriteteve shëndetësore, në Orange County, ku ndodhet parku i lojërave, 1 në 6 persona ka qenë ose është i infektuar nga COVID-19, dhe shifrat janë edhe më shqetësuese në Los Angeles, ku raporti është 1 me 5.

Personat që do të shkojnë të vaksinohen nuk mund të përfitojnë gjithsesi nga bukuritë dhe atraksionet e parkut. Disneyland është i mbyllur pikërisht për shkak të masave parandaluese të COVID, dhe një rikthim masiv i fëmijëve dhe familjeve të tyre, për momentin, është vetëm një përrallë me shije të hidhur.

LEXO EDHE:

Back to top button