“Djegie për së dyti”, familjarët për vendimin e gjykatës

“Djegie për së dyti”, familjarët për vendimin e gjykatës

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Djegie për së dyti, thonë familjarët e viktimave të djegura në zjarrin në Spitalin Modular të Tetovës. Mumin Ismaili, i cili humbi nënën e tij në natën e 8 shtatorit të vitit 2021 thotë se vendimi gjyqësor ua ngjalli sërish dhembjen për humbjen e të afërmve të tyre. Ismaili tha se avokatët kanë ankimuar vendimin dhe kërkohet rigjykim i rastit.

“Ne nuk jemi të kënaqur aspak me këtë vendim dhe do bëjmë ankesë sot me avokatët tanë që të ketë rigjykim procesi. Në gjykim nuk ishin njerëzit e duhur që dihen kush janë. Sepse këta dy apo tre të akuzuar s`kanë të bëjnë me këtë por si duket është marrëveshje politike kjo që nuk përmenden, ata që dihen ish ministri Filipçe por edhe Ilir Hasani që ishte zëvendës ministër i shëndetësisë. Unë e them këtu duhet një zinxhir i gjatë i të akuzuarve të jetë se pse janë 14 veta që kanë vdekur unë i kam ndjerë dhe pa me sytë e mijë piskamat djegiet dhe tani mos merr përgjegjësi askush dhe të ketë një vendim qesharak kjo është absurde dhe kësaj s`mund ti them që është gjyq”, deklaroi Mumin Ismaili, familjar.

Reaguan edhe nga Lista “Më mirë për Tetovën”.

“Me këtë, 14 viktimat e djegura u vranë sërish dhe ata nuk do të pushojnë në paqe, kjo është turp i zi për Tetovën. Drejtësia e kalbur dhe e zënë peng nga politika, për herë të dytë vrau jo vetëm viktimat e djegura, por edhe familjarët e tyre dhe Tetovarët e heshtur. Politika klienteliste që mbizotëron gjithë këto vite në vendin tonë, jep këto rezultate ku për 14 jetë të djegura kemi zero ditë burg. Kjo është tepër absurde. Retorika bajate e politikës për Bashkimin evropian, neve na shuan shpresat dhe na demotivon më tepër, për një jetë normale në këtë qytet”, tha Ngadhnjim Memeti, Lista “Më mirë për Tetovën”.

Pas rreth dy vitesh gjykim për zjarrin në Spitalin Modular të Tetovës ku humbën jetët 14 persona, dy drejtorët u dënuan me 1,5 vjet burg me kusht, ndërsa mjekun Boban Vuçevski, u lirua tërësisht nga akuza. Ndërkohë subjekti juridik Spitali Klinik i Tetovës duhet të paguajë një milion denarë për mosveprim. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button