Drejtësia në Maqedoninë e Veriut, me standarde të dyfishta

Drejtësia në Maqedoninë e Veriut, me standarde të dyfishta

Gazetar: Ardit Ramadani

Përveç dhimbjes, palët e dëmtuara në Maqedoninë e Veriut dënohen për herë të dytë nga fakti se nuk arrijnë të marrin drejtësinë me vite të tëra si pasojë e zvarritjes së proceseve gjyqësore. Kjo është një ndër sëmundjet më të mëdha të sistemit të drejtësisë e cila jo rrallë herë, ka çuar deri në shpëtimin e kryerësve të veprave të ndryshme penale, për shkak të vjetërsimit të lëndëve. Për ironi, gjykata nuk është aq jo-efikase kur bëhet fjalë për qytetarë të thjeshtë të cilët bien ndesh me ligjin, por, në pjesën më të madhe të rasteve me interes publik, ku të akuzuar janë persona zyrtarë dhe ish-zyrtarë, çalojnë. Këtë e vërteton analiza e “Të gjithë për gjykime të drejta”, ku janë monitoruar 310 seanca gjyqësore në fushën e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në të cilat, hyjnë pjesa më e madhe e lëndëve ku të përfshirë janë politikanë.

“Nga analiza e të dhënave të përgjithshme të vitit 2022, rezulton se 42% e seancave kryesore për rastet në fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit janë shtyrë. Nëse bëhet krahasimi me të dhënat për vitin 2020/2021, sipas të cilave 37% e totalit të seancave të monitoruara në dy vitet e fundit janë shtyrë, është evidente se ka një trend të lehtë në rritje kur bëhet fjalë për shtyrjen e seancat kryesore”, thonë nga organizata – Të gjithë për Gjykim të Drejtë.

Edhe kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Daneva, u shpreh e pakënaqur me rrjedhën e proceseve gjyqësore. Ajo u ankua për mungesë të stafit gjyqësor si dhe gjykatësve në vend. Megjithatë, shpresën e sheh te koordinatorët për monitorimin e punës së gjykatësve.

“Tashmë kolegët kanë filluar këto vizita, megjithatë, për shkak të vëllimit të punës, përkatësisht, vlerësimi është duke vazhduar në periudhën e ardhshme, kur do të përfundojë ky proces, do të intensifikohen dhe jo vetëm kontrolli i rasteve të tilla apo të ngjashme. Të gjithë koordinatoret që përcaktohen për të monitoruar punën e gjykatave, do të jenë të obliguar të bëjnë kontroll në të gjitha lëndët e vjetra sepse të gjitha janë të rëndësishme, çdo lëndë është e rëndësishme për qytetarin, dhe në bazë të situatës së tillë të konstatuar, do të dorëzohet raport në Këshill i cili do të shqyrtohet më tej”, deklaroi Vesna Daneva, kryetare e Këshillit Gjyqësor.

Megjithatë, kjo masë u vendos nga ish-kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Pavlina Cërvenkovska dhe rezultoi si e pasuksesshme. Përkatësisht, ajo e mbaroi mandatin me mbi 100 mijë lëndë gjyqësore të pazgjidhura. Disa prej lëndëve me interes publik për të cilat assesi të ketë epilog gjyqësor janë aksidenti i Durmo Tours në Llaskarcë, aksidenti i autobusit të Besa Trans në Bullgari, djegia e Spitalit Modular, Lagjja e Trimave si dhe rastet e hapura nga ish-Prokuroria Speciale ku të akuzuar kryesorë janë ish-zyrtarë. Më herët, ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski kishte kritikuar fenomenin e ruajtjes së lëndëve gjyqësore në sirtarë, por asgjë nuk po ndërmerret në këtë drejtim. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button