Drejtimet profesionale, shpresë për kuadrot

Drejtimet profesionale, shpresë për kuadrot

Gazetare: Melihate Rustemi

Shkollat e mesme profesionale mbeten shpresa e vetme për krijimin e kuadrit deficitar që tashmë është paraqitur në shumë institucione dhe kompani të ndryshme. Shkolla profesionale “Nace Bugjoni” në Kumanovë, paralelet në gjuhën shqipe për gjysmëmaturantët ka në dispozicion tre drejtime. Makinerisë, Elektroteknikës dhe Drejtimi Shëndetësi. Mësimdhënësit kujtojnë se të gjitha drejtimet janë atraktive duke ju mundësuar nxënësve të marrin titull, varësisht profilit të caktuar dhe punësim të menjëhershëm.

“Makineria është një lëmi e cila prodhon prej gjilpërës e deri në lokomotivë. Kohën e fundit kemi edhe shtim të kërkesës për punëtor. Kërkojnë operator të makinave CNC, kërkojnë të drejtimit teknik energjetik për montimin e klimatizimit, ajrosjes e kështu me radhë. Njëkohësisht edhe drejtimi trevjeçar kërkohet shkaku se edhe duhet të bëhen konstruksione të ndryshme të cilat shërbejnë për veprimtari të ndryshme”, deklaroi Halim Misini, mësimdhënës.

“Sa i përket drejtimit elektro mekanik, tre vjeçar, nxënësit aftësohen për projektimin, montimin, çmontimin e makinerive elektrike si dhe të pajisjeve të ndryshme shtëpiake. Aftësohen për të bërë skema dhe vizatime elektroteknike, poashtu arrijnë të bëjnë detektimin dhe shmangien e gabimeve të mundshme gjatë prodhimeve serike”, u shpreh Asibe Selimi Misini, mësimdhënëse.

Mësimdhënësi Bujar Dalipi tha se të gjitha profilet e drejtimit të elektroeteknikës gjejnë zbatim të menjëhershëm pas përfundimit të arsimit të mesëm, posaçërisht profili elektroteknikë-energjetikë.

“Ne këtu bëjmë pjesën teorike dhe praktike për energjitë e rinovueshme, sistemet fotovoltaike që në ditët e sotme janë shumë aktuale dhe të domosdoshme për shkak të krizës energjetike që është në vendin tonë dhe gjithë botën”, tha Bujar Dalipi, mësimdhënës.

Diploma e të kualifikuarve me arsim të mesëm profesional pranohet edhe në shtetet perëndimore, në rast se të rinjtë të ardhmen e tyre e shohin atje.

“Shko jashtë vendit por nëse je I kualifikuar do të gjendesh shumë më mirë, do të punosh një punë që ti do të jesh në gjendje me përfituar më shumë prej asaj pune. Nëse shkon jashtë me punuar vetëm si punëtor I thjeshtë s’ke bë asgjë”, deklaroi Ferdeze Sulejmani, mësimdhënëse.

Në shkollën e mesme teknike “Nace Bugjoni” në Kumanovë, në vitin e ri shkollor 2023-24 do të mund të regjistrohen 340 nxënës në 10 paralele me mësim në gjuhën shqipe. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button