Drejtori i ri i ASK-së, Kovaçevski s’ka marrë vendim

Drejtori i ri i ASK-së, Kovaçevski s’ka marrë vendim

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk pranon të jetë bërë pjesë e diskutimeve brenda partisë së tij se kush do të jetë drejtor i ri i Agjencisë për Siguri Kombëtare, shkruan Alsat.

Ai në emisionin 360 gradë tha se emri i drejtorit të ri duhet të jetë i pranueshëm edhe për NATO-n.

“Unë nuk do të futesha në komente për atë që flitet në opinion rreth zgjedhjes së drejtorit të ri. Vlerësoj se në atë pozitë duhet të jetë personalitet i cili është profesionist i lartë dhe i cili do t’i përfaqësojë interesat e shtetit. Gjithashtu nuk duhet të harrojmë se ne jemi vend anëtar i NATO-s, se kemi partnerët tanë strategjik dhe se gjatë zgjedhjes së drejtorit duhet të bëhet kujdes edhe në ruajtjen e marrëdhënieve tona të shkëlqyera edhe me partnerët tanë në NATO, edhe me partnerët strategjik”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Gazetari: Kur do të emëroni drejtor të ri?

Kryeministri: Sapo të zgjidhet një emër i cili do t’i kënaqë këto kritere.

Drejtori aktual i ASK-së, Viktor Dimovski që në muajin shtator ka marrë agrement për ambasador të vendit në Paris. Megjithatë Dimovski nuk e lëshon pozitën e tij deri sa qeveria nuk ka vendosur se kush do ta zëvendësojë. Tashmë janë shkelur afatet për dërgimin e tij në Francë.

“Siç duket po. Edhe pse ligji parashikon afate të caktuara, pas marrjes së agrement duhet në afat prej dy muajsh të përfundojnë bisedimet në ministri, për fat të keq kanë kaluar disa muaj dhe kjo nuk është e rastësishme, me gjasë për shkak se pret të ketë trashëgimtar në institucionin të cilin e drejton për momentin. Megjithatë, ja, bëj thirrje publikisht që të veprohet sa më shpejt dhe të jemi brenda afateve ligjore”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Dimovski është diplomat me karrierë por puna e tij në ASK është shoqëruar me kritika dhe polemika kryesisht për shkak të mosmiratimit të kërkesave për marrjen e shtetësisë (kryesisht nga shqiptarë). Aktualisht mbi 3000 kërkesa për marrjen e shtetësisë që bazohen në ndryshimet e fundit në ligjin për shtetësi, rrinë të pashqyrtuara në sirtarin e Dimovskit. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button