Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore e përjashtuar nga gjetjet në Strugë, Çestova: Për rastin u informova nga mediat

Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore e përjashtuar nga gjetjet në Strugë, Çestova: Për rastin u informova nga mediat

Gazetar: Suad Bajrami

Përfaqësuesit e institucionit kyç për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, nuk kanë marrë pjesë në prezantimin zbulimeve epokale në lokalitetin arkeologjik në Koroshishtë të Strugës. Këtë e konfirmoi për Alsat, Vesna Çestoeva, drejtoreshë e Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Drejtoria, ka qenë pjesë e procedurës së përgjithshme dhe administrative të këtij projekti, gjegjësisht ka dhënë lejet për gërmime të cilat i ka kërkuar Muzeu Arkeologjik si bartës i projektit, por nuk është njoftuar për rrjedhën gërmimeve, për të cilat kjo drejtori është informuar vetëm nëpërmjet mediave.

“Si drejtor mund të theksoj se të gjitha këto ngjarje që kanë ndodhur të premten jam njoftuar nga ana e mediave, të cilat kanë njoftuar për zbulimet dhe për atë se çfarë është zbuluar dhe si është zbuluar, dëshiroj të ju theksoj që të kontaktoni me ata. Ne si drejtori të gjitha informatat i kemi marrë prej mediave. Fillimisht dua të theksoj se Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore nuk ka marrë ftesë nga asnjë institucion. As nga Muzeu Arkeologjik i Maqedonisë, as nga Institucioni Nacional Enti Muzeu i Ohrit, as nga Ministria e Kulturës”, deklaroi Vesna Çestoeva, drejtoreshë e Drejtorisë për Trashëgimi Kulturore.

Ngjarja është organizuar nga Ministria i Kulturës, e cila është bashkëfinancuese e projektit. Megjithatë, ndonëse Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore nuk është ftuar për pjesëmarrje, për ironi ministri Zoran Lutkov, u prit nga ish drejtori i kësaj Drejtorie, Pasko Kuzman, i cili është i dënuar me vendim të plotfuqishëm në lëndë për krim me artefakte. Dhe kjo, hapi dyshimin dhe reagimin në opinion për sigurinë e gjetjeve të mëdha arkeologjike dhe vijimësinë e gjetjeve të tjera në lokalitetin në Koroshishtë.

Nga Ministria e Kulturës, nuk përgjigjen në pyetjen e Alsat se në çfarë cilësie ka marrë pjesë Kuzmani dhe a është i punësuar në ndonjë prej institucioneve nën kompetenca të kësaj ministrie. Nuk ka përgjigje as për pyetjen nëse është e dinjitetshme që një person i dënuar pikërisht për krim me artefakte të marrë pjesë në një lokalitet me gjetje epokale dhe që mund të ndodhin në njëqind vjet, ndërkaq nga ana tjetër, nuk ftohen të marrin pjesë përfaqësuesit e institucionit kyç për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Nga Ministria e Kulturës, thonë se organizimi i ngjarjes është bërë nga Muzeu Arkeologjik i Shkupit, megjithatë, drejtoresha e këtij muzeut Sllavica Babamova e thekson të kundërtën. Sipas saj, ngjarjen e ka organizuar dikasteri me të cilin udhëheqë Zoran Lutkov.

Drejtoresha, Çestoeva nuk dëshiron të komentojë praninë e Kuzmanit në lokalitetin arkeologjik, por pajtohet që duhet të ketë siguri më të lartë.

“Në pjesën e sigurisë për këtë çështje duhet të drejtoheni te institucionet që janë të përfshira në këtë projekt. Dëgjova gjithashtu nga mediat dhe nga udhëheqësit të hulumtimeve arkeologjike se edhe vetë popullata lokale është përfshirë në sigurimin e kësaj, se është alarmuar policia, kështu që do të lutesha për më shumë informata të drejtoheni deri te këto dy institucione…Vlerësoj se duhet të kyçet mbrojtje më e madhe institucionale të këtij lokaliteti, pasi kjo me të vërtetë është zbulim epokal dhe në një mënyrë mund të flasim për Trebenishta 2”, tha Vesna Çestoeva, drejtoreshë e Drejtorisë për Trashëgimi Kulturore.

Çestoeva, konfirmoi se pak para se të nxirren dhe prezantohen zbulimet, inspektorët e Drejtorisë për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore kanë kryer inspektim, ndërkaq për rezultatet do të njoftohet opinioni pasi të jetë gati raporti. Gjetjet, sipas paralajmërimit do të konservohen dhe do të dërgohen në Muzeun Arkeologjik të Shkupit, pasi nuk ka kushte për t’u mbajtur në Muzeun e Ohrit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button