Dygjuhësia s’respektohet nga institucionet, Mexhiti: Kush nuk e respekton bën shkelje ligjore
Dygjuhësia s'respektohet nga institucionet, Mexhiti: Kush nuk e respekton bën shkelje ligjore
Gazetar: Suad Bajrami
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, tha se kolegët e tij ministra dhe institucionet që drejtojnë duhet të respektojnë vendimin qeveritar për komunikim me mediat, përskaj maqedonishtes, edhe në shqip. I pyetur për mospërdorimin e shqipes nga ana e Ministrisë së Administratës Publike, Mexhiti tha se nëse nuk e respekton vendimin, bën shkelje ligjore.
“Si komunikon në maqedonisht? Vetëm në gjuhën maqedonase ministri flet në maqedonisht apo njoftimet. Ka qëndrim në qeveri që duhet të respektohet dygjuhësia dhe çdo ministri duhet të drejtohet në dy gjuhë. A duhet të drejtohet edhe në shqip… duhet të jetë edhe maqedonisht edhe shqip, nëse nuk e respekton bën shkelje ligjore”, tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.
Pavarësisht thirrjes së Mexhitit, kolegët e tij në qeveri sipas dëshirave të tyre e përdorin gjuhën shqipe si në komunikim ashtu edhe në publikimin e materialeve. Madje, edhe vetë qeveria, nuk komunikon me publikun paralelisht në dy gjuhë, por fillimisht i publikon materialet në maqedonisht, ndërkaq me vonesë i përkthen në shqip.
Gjatë ditës së djeshme, ministri i Administratës Publike, Goran Minçev i dha një interpretim kreativ detyrimit ligjor për komunikim me mediat në gjuhën shqipe, gjegjësisht ai tha se komunikatat e kësaj ministre do të dërgohen vetëm në maqedonisht, ndërkaq nevojtarëve do t’u përkthehen edhe në gjuhën shqipe.
“Kumtesa do t’i dërgojmë në gjuhën maqedonase, ai që do të kërkojë për nevojat e tyre do të përkthehen edhe në gjuhën shqipe”, tha Goran Minçev, ministër i Administratës Publike.
Me përjashtime të vogla, situata me shqipen është pothuajse e njëjtë në të gjitha ministritë e drejtuara nga pjesëtarët e komunitetit maqedonas. Madje, edhe ato ministri që ishin drejtuar deri dje nga kuadrot shqiptarë, me ndërrimin e ministrave, kanë ndaluar ta përdorin shqipen.
Në një linjë me ekzekutivin, është edhe presidentja, e cila pavarësisht se ka statusin e figurës unifikuese në shtet, nuk e respekton ligjin, i cili e detyron që të respektojë drejtën e bashkëqytetarëve të saj shqiptarë që të informohen në gjuhën e tyre amë./Alsat.mk