Dyshime për manipulime në Zonën Industriale në Tetovë

Dyshime për manipulime në Zonën Industriale në Tetovë

Gazetar: Mefail Ismaili

Prokuroria publike sot do të pranojë nga Anti Korrupsioni nismën me dëshmi që ngrenë dyshime për falsifikim dokumentesh dhe ndikim për dhënien nën koncesion të Zonës Industriale Zhvillimore Teknologjike në Tetovë. Anëtarja e Anti Korrupsionit, Katica Nikollovska, thotë se Prokuroria Publike ka mundësi të sigurojë dëshmi edhe për dyshimet shtesë për persona të përfshirë në ndarjen e koncesionit për Zonën në Tetovë.

“Prokuroria Publike ka mundësi të sigurojë të dhëna dhe informata në baza të tjera, nëse do të dalin të përfshirë persona të tjera është çështje tjetër”, tha Katica Nikollovska, Anti Korrupsioni.

Pas publikimit të rastit nga anti korrupsioni, Alsat pyeti Qeverinë se si do të veprojë me dëshmitë e publikuara. Nga kabineti i kryeministrit Dimitar Kovaçevski thanë se në të ardhmen do i definojnë hapat e tyre.

“Pas publikimit të vendimeve dhe rekomandimeve të KSHPK, e në pajtueshmëri me dyshimet nga Enti Shtetëror për Revizion në pjesën e kohëzgjatjes së vetë kontratës për partneritet publiko privat, do të përcaktohen hapat dhe vendimet e ardhshme e Qeverisë dhe drejtorisë për ZIZHT-të e cila vepron me autorizim të Qeverisë në këtë marrëveshje”, njoftojnë nga Qeveria.

Ndërsa nga koncesioneri “Normak Investment group” thonë se nuk kanë pasur mundësi që të jenë pjesë e shkeljeve ligjore të lartë përmendura.

“Si partner privat në asnjë rast as nuk kemi pasur mundësi ligjore ose përgjegjësi në procedurën për formimin e parcelës së ZIZHT Tetovë nga njëra anë, e as mundësi që të jemi pjesë në procesin për partneritet publiko-privat dhe zgjedhjen e ofertës më të volitshme. Kompania jonë paraqitet si ofertues – partner privat që nënshkruan marrëveshjen për partneritet publiko-privat në pajtim me kushtet e ofruara nga ana e partnerit publik. Situatat e dhëna nuk janë drejtpërdrejtë të ndërlidhur me kompaninë tonë dhe konform kësaj nuk shohim nevojën e ndërmarrjes së asnjë aktiviteti plotësues”, thonë nga Normak Invesment group.

Në vendimin e publikuar nga Komisioni për Anti korrupsion një javë më parë, thuhet se për Zonën industriale në Tetovë, “Persona Zyrtarë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për koncesione dhe Ligjin për Koncesione dhe Partneritet publiko privat pasi kanë keqpërdorur detyrën e tyre për falsifikim të dokumenteve dhe me koordinim të aktiviteteve janë marrë vendime për favorizimin e ofertuesit me qëllim të ndarjes së marrëveshjes për partneritet publiko-privat”. Në një nga bisedat e përgjuara të publikuara nga ish-kryetari i LSDM-së Zoran Zaev në vitin 2015, pati dhe një bisedë të zv/kryeministrit aktual Artan Grubi, atëherë deputet dhe liderit të BDI-së Ali Ahmeti për rrjedhën e ndarjes së koncesionit për Zonën industriale në Tetovë. Në këtë bisedë Grubi njoftonte Ahmetin se ministri i Ekonomisë në atë kohë e ka informuar se kushtet i plotëson një kompani turke, ndërsa kompanisë e cila tani e ka në koncesion i mungon edhe një dokument shtesë. Madje i tregon se i është dhënë afat shtesë për ta plotësuar. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button