Edhe shefi i “Modernas” del me parashikimin për fundin e pandemisë

I pyetur nga gazeta nëse një gjë e tillë e nënkupton kthimin në normalitet gjatë gjysmës së dytë të vitit të ardhshëm, Bancel është përgjigjur: “Bazuar në situatën e sotme, supozoj brenda një viti”

- Advertisements -

Shefi ekzekutiv i kompanisë farmaceutike “Moderna”, Stéphane Bancel, mendon se pandemia e koronavirusit mund të marrë fund brenda një viti, teksa prodhimi i shtuar i vaksinave e mundëson furnizimin global. Një gjë të tillë, Bancel e ka thënë gjatë intervistës dhënë të enjten për të përditshmen zvicerane “Neue Zuercher Zeitung”.

“Po qe se e shikoni zgjerimin e kapaciteteve prodhuese në të gjithë industrinë gjatë këtyre gjashtë muajve të fundit, atëherë do ta kuptoni se numri i mjaftueshëm i dozave të vaksinave do të jetë në qasje të gjithmbarshme deri në fund të vitit të ardhshëm, ashtu që çdokush në planet të mund të vaksinohet. Dozat përforcuese do të jenë gjithashtu të mundshme në shtrirjen e nevojshme”, ka cituar agjencia Reuters pretendimet e shefit të “Modernas” në intervistë.

Ai madje ka theksuar se vaksinimi së shpejti do të jetë i qasshëm edhe për më të vegjlit.

“Ata që nuk i marrin vaksinat do të imunizohen natyrshëm, për shkak se varianti Delta i koronavirusit është kaq bartës. Në këtë mënyrë do të përfundojmë në një situatë të ngjashme sikurse me gripin e zakonshëm. Andaj ju ose vaksinoheni dhe e kaloni një dimër të mirë, ose nuk vaksinoheni dhe rrezikoni që të sëmureni e mbase edhe të përfundoni në spital”, ka theksuar ai, raporton Reuters.

I pyetur nga gazeta nëse një gjë e tillë e nënkupton kthimin në normalitet gjatë gjysmës së dytë të vitit të ardhshëm, Bancel është përgjigjur: “Bazuar në situatën e sotme, supozoj brenda një viti”.

Bancel ka bërë të ditur gjithashtu se pret që qeveritë t’i miratojnë dozat përforcuese të vaksinave për personat që tanimë janë vaksinuar, kjo ngase pacientët më të rrezikuar dhe të cilët janë vaksinuar vjeshtën e shkuar “pa dyshim” se kanë nevojë për një shtysë tjetër. Fjala, sipas tij, është te një gjysmëdoze krahasuar me atë origjinale, në atë që e nënkupton se furnizimet e tyre do të jenë të disponueshme.

“Vëllimi i vaksinës është faktori më i madh kufizues. Me gjysmë të dozës, ne do të kishim 3 miliardë doza të qasshme në mbarë botën për vitin e ardhshëm, e jo vetëm 2 miliardë syresh”, ka thënë ai.

Reuters ka raportuar se përbërja e dozës së tretë përforcuese ka mbetur e njëjtë për këtë vit, ngase “Moderna” nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për ta ndryshuar.

“Aktualisht jemi duke i testuar variantet bazuar në Deltan, nëpër studimet klinike. Këto testime do ta formësojnë bazën e vaksinimit shtesë për vitin 2022. Gjithashtu jemi duke i testuar përtej Deltas plus Betas mutacionin e ardhshëm që shkencëtarët besojnë se është i mundshëm”, ka theksuar Bancel, raporton Reuters.

“Moderna” mund t’i shfrytëzojë linjat ekzistuese të prodhimit për variantet e reja, njëjtë sikurse në rastin e zhvillimit të kurës për variantin fillestar të virusit që e shkakton sëmundjen COVID-19. Shefi i kompanisë ndërkaq ka specifikuar se çmimi i vaksinës do të mbetet i pandryshuar.

LEXO EDHE:

Back to top button