Ekspertët: Flamuri evropian në ligjet për Korridoret 8 dhe 10D, precedentë i rrezikshëm

Ekspertët: Flamuri evropian në ligjet për Korridoret 8 dhe 10D, precedentë i rrezikshëm

Gazetar: Ardit Ramadni

Kufizimi i debatit në dy ditë dhe lehtësimi i procedurave për miratimin e pesë propozim ligjeve për Korridorin 8 dhe 10-D duke i vendosur flamurin evropian krijon precedent të rrezikshëm në punën e kuvendit. Komunikologu Bojan Kordalov për ALSAT potencoi se kompetentët duhet që në fillim të vitit të tregojnë se cilat ligje do t’i kalojnë me yll të BE-së dhe për cilat arsye.

“Gjëja e parë që duhet ta kemi parasysh kur flasim për ligjet me flamur evropian duhet të jetë parashikueshmëria, përkatësisht konsideroj që në fillim të vitit, duhet qartë të thuhet se cili është plani i qeverisë që përgjatë viti të dorëzojë në kuvend ligje me flamuj evropian, sepse kjo duhet të bëhet në mënyrë transparente edhe për deputetët, mediat dhe opinionin publik”, tha Bojan Kordalov, komunikolog.

Në të kundërtën, përkatësisht kalimi i ligjeve në këtë formë secilën herë që deputetëve të ju kujtohet, sipas Kordalov rrezikon edhe besimin e qytetarëve, ndërsa mund të interpretohet edhe si keqpërdorim i këtij mekanizmi.

“Nuk mendoj që as në këtë rast, me këto ligje dhe as me cilin do ligj tjetër, duhet të ndryshohet qëndrimi në qoftë se një ligj do të kalojë me flamur evropian sot e nesër jo dhe e kundërta, për arsye se në këtë formë e vendosim në pikëpyetje besimin që qytetarët e kanë tek Bashkimi Evropian. Kredibiliteti nuk është mirë që të minohet, për përmbushjen e agjendën të kujtdo qoftë, përkatësisht me ndryshim të qëndrimit nëse diçka do të sjellët me procedurë të rregullt, apo me flamur evropian në qoftë se kjo nuk është pjesë e rrugës drejt Bashkimit Evropian”, theksoi Bojan Kordalov, komunikolog.

Flamuri evropian vendoset kur duhet të miratohen ligje të cilat janë kusht për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian si dhe me qëllim të harmonizimit të ligjeve me ato të BE-së. Në këtë rast, ligjet të cilat do të miratohen përmes shfrytëzimit të këtij mekanizmi janë Ligji për marrëdhënie pune, Ligji për ndërtim, Ligji për planifikim urbanistik, Ligji për eksproprijim dhe ligji i posaçëm për autostradat. Përkundër reagimeve në opinion se këto ligje nuk kanë të bëjnë me rrugën e vendit drejt Evropës, zëvendës kryeministri Artan Grubi dje tha këtë e bazojnë në faktin që BE-ja ka vendosur në hartën e korridoreve evropiane edhe korridorin 8 bashkë me Korridorin 10D. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button