Ekspertët i bëjnë thirrje OBSH-së dhe qeverive për vendime më të ashpra kundër lisë së majmunëve

Disa ekspertë të shquar të sëmundjeve infektive po bëjnë presion për veprime më të shpejta nga autoritetet globale të shëndetit për të frenuar një shpërthim në rritje të lisë së majmunëve që është përhapur në të paktën 20 vende, raportoi të shtunën Reuters.

Ata po argumentojnë se qeveritë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk duhet të përsërisin gabimet e hershme të pandemisë COVID-19 që vonuan zbulimin e rasteve, duke ndihmuar në përhapjen e virusit.

Ndërsa lija e majmunëve nuk është aq e transmetueshme apo e rrezikshme sa COVID-i, thonë këta shkencëtarë, duhet të ketë udhëzime më të qarta se si duhet të izolohet një person i infektuar me linë e majmunëve, këshilla më të qarta se si të mbrohen njerëzit që janë në rrezik, si dhe testime të përmirësuara dhe gjurmim kontaktesh.

“Nëse kjo bëhet endemike (në më shumë vende), do të kemi një sëmundje tjetër të keqe dhe shumë vendime të vështira për të marrë”, ka thënë Isabelle Eckerle, profesoreshë në Qendrën për Sëmundjet Emergjente në Zvicër.

OBSH po shqyrton nëse shpërthimi duhet të vlerësohet si një emergjencë e mundshme e shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar, tha një zyrtar për Reuters. Përcaktimi i OBSH-së se një shpërthim përbën një emergjencë shëndetësore globale – siç ndodhi me COVID-in ose Ebolan – do të ndihmonte në përshpejtimin e kërkimit dhe financimit për të përmirësuar një sëmundje.

Eckerle bëri thirrje që OBSH të inkurajojë vendet që të vendosin masa më të koordinuara dhe të rrepta izolimi edhe pa një deklaratë emergjente.

LEXO EDHE:

Back to top button